Ish-sulmuesi i Shpresave kuqezi firmos me Rizespor në Turqi

Vedat Muriqi arrin akordin me skuadrën turke, Rizespor. “Hurriyet.com” raporton se marrëveshja është arritur dhe se sulmuesi 23-vjeçar do të lërë Gençlerbirligin për t’u transferuar te Rizespor.

Ish-sulmuesi i Shpresave të Shqipërisë, aktualisht pjesë e kombëtares së Kosovës do të firmosë 2.5 vjet me Rizespor.

Sulmuesi 23-vjeçar e nisi karrierën e tij te Liria e Prizrenit në Kosovë për të vijuar më pas në Superligë me Teutën e më pas me Besën e Kavajës.

Nga viti 2014 deri në 2016-ën, Muriqi u aktivizua me skuadrën e Ligës 1 në Turqi, Giresunspor, për të cilën shënoi 23 gola. Me paraqitjet e tij, sulmuesi nga Prizreni tërhoqi vëmendjen e ekipeve nga Superliga e Turqisë dhe firmosi për Gençlerbirligin, ekip për të cilin luajti deri në dhjetor të 2017-ës.

Muriqi regjistron 4 prezenca me Shqipërinë U-21 ku ka shënuar edhe 1 gol, ndërsa prej 2016-ës ai është pjesë e përfaqësueses së Kosovës./Vipsport.al/A.T.

Vedat Muriqi me fanellën e përfaqësueses së Kosovës