Gjoka “kërcënon” hapur Kukësin: Jemi gati për ndeshjen, nuk ka vend për pesimizëm

Vllaznia i ka mbyllur përgatitjet e saj dimërore, teksa do të zbresë në fushën e lojës, për ndeshjen e parë të Superiores në këtë vit, kundër Kukësit në shtëpi.

Trajneri i ekipit, Ernest Gjoka, në një prononcim për mediat pas fitores 1-0 ndaj Tërbunit, është shprehur se pavarësisht problemeve në sulm, Vllaznia është gati për Kukësin.

“Jam i kënaqur deri në një pikë, por duhet të kemi parasysh faktin se duhet të punojmë në fazën sulmuese. Kjo pasi nuk ka kuptim, nëse bëhet volumi i lojës por nuk shënohet. Mendoj se Vllaznia është gati për ndeshjen ndaj Kukësit.

Themi se po përgatitemi shumë seriozisht për këtë sfidë të parë që është e vështirë, por shpresoj se do t’ia rrijmë qëllimit. Unë nuk jam pesimist, thjesht jemi të qetë, me këmbë në tokë dhe dalëngadalë të vazhdojmë punën, ndërsa futbollistët e rinj duhet të përshtaten me filozofinë tonë.

Sukaj mund të luajë nga minuta e parë sepse është blerje e rëndësishme. Ai është një sulmues me CV të jashtëzakonshme dhe ne duhet ta përshtasim shpejt. Nëse s’do ishte futur sot nga minuta e parë atëherë nuk ka kuptim.

Ajo që i ka munguar ekipit ishte besimi tek vetja dhe tek forcat tona. ashmë duhet ta kthejmë në një forcë të madhe, në një besim të madh dhe që psikologjikisht të quhemi të pathyeshëm në fushën tonë”, është shprehur Gjoka. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/