Gjëegjëza mediatike e “të pavarurit” Armand Duka

Dje u zhvillua ndoshta debati i parë publik, i tërthortë mes atyre që mendojnë se në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit duhet të ketë ndryshim dhe mes atyre që thonë se kandidatura e Bashkim Finos është e papranueshme. Mes këtyre të fundit ishte edhe Denis Bastari, sekretar Administrativ i FShF-së.

Teza qendrore e diskutimit në “Opinion” të Tv Klan ishte se Fino vjen nga politika, rrjedhimisht nuk mund të konsiderohet si kandidat i përshtatshëm, por si një person që përfaqëson zgjatimin e qeverisë mbi FSHF.

Siç është parë deri më tani, ky argument është retorik, pra për të bërë efekt  më shumë sesa për të sqaruar opinionin publik.  Pasi referuar dokumenteve statutore të FIFA-s dhe UEFA-s flitet vetëm për intereferencë të politikës në veprimtarinë e federatës, por për përjashtim a priori të përfaqësuesve politikë nga gara. Ky është një moment shumë i rëndësishëm që jo vetëm ngatërrohet, por që tradhëton edhe një kulturë tonën shumë problematike.

Mandati i një detyre, qoftë edhe institucion shtetëror, por edhe i drejtimit të një OJF-je siç është FSHF nuk lidhet dhe as buron nga cv e një kandidati. Ai mandat as mund të paragjykohet mbi këtë premisë, por ai rrjedh dhe varet nga dokumentet statutorë dhe vendimmarrjet e Asamblesë. Askush deri më sot, as ekipi drejtues i FSHF nuk ka folur për nevojën e rregullave të reja, për ndryshimin e kritereve të anëtarësisë etj..Pasi nëse do të kishim këtë kërkesë, atëherë do të kishim të bënim vërtet me një vullnet për të larguar federatën nga rrezja politike në atë mënyrë që po i jepet sot kësaj teme.

Në debatin e djeshëm u sollën shembuj të politikanëve të ndryshëm që drejtojnë federata në Europë, çka na sugjeron se përtej lojës banale që zhvillohet rëndom nga politika apo në të ardhmen edhe nga sportisti dixhital, duhet të ngrihet një debat i vërtetë.

Vetë z. Duka ka qenë shumë i kujdesshëm për të mos e ngritur personalisht këtë tezë me shumë këmbëngulje. Janë apologjetët e papritur të tij në media që e bëjnë këtë. Arsyeja është shumë e thjeshtë: z. Duka e di shumë mirë se një federatë duhet të ketë marrëdhënie të mira me qeverinë dhe ky sugjerim vjen edhe nga FIFA.

Dhe kjo është praktikë e ndjekur edhe nga vetë z. Duka dhe enturazhi i tij. Në asamblenë e vitit 2017, i ftuar nderi ishte zv.ministri i Arsimit Plarent Ndreca, fjala e të cilit përshkruhet nga vlerësimi për bashkëpunimin qeveri – FSHF.

Dje z. Bastari, i cili edhe ai iu ruajt argumentit të “armikut Fino” foli për investimet e federatës për mjedise të reja. Këtu është dokumenti që tregon ortakërinë e qeverisë shqiptare me FSHF-në për investime të ndryshme, një shembull dokumentar që provon se suksesi i sportit, kalon detyrimisht nga infrastuktura, e cila është patjetër përgjegjësi edhe e qeverisë. Sepse siç mund ta dinë të interesuarit, sporti është pjesë e politikave zhvilluese të çdo partie dhe në çdo shoqëri.

A e implikon Dukën ky bashkëpunim? Sigurisht që jo, por ai kompromenton mbrojtjen që po I bëhet atij përmes sulmit ndaj kundërshtarit. Një mbrojtje që provon dobësi serioze përderisa me diversionin mediatik për statusin e Finos anashkalon shkeljet e konstatuara që po vënë në dyshim integritetin e procesit zgjedhor. Dhe që po mban në heshtje një bashkëpunim 16 vjeçar me qeveritë që kanë ndryshuar, por që çuditërisht e kanë mbajtur z. Duka “të imunizuar”nga politika.

Dhe në fund, mbetet edhe sot e paqartë se çfarë mbahet parasysh kur flitet për kapje të FSHF-së nga politika apo qeveria? Federata është në proces zgjedhjesh dhe mandati i z. Duka nuk po kërkohet të ndërpritet. Një federatë serioze që pretendon se është strukturuar nuk i druhet zgjedhjeve dhe as rotacionit, as ndonjë afektimi sa kohë që zbatohen rregullat. Të cilat duhet theksuar: Nuk kanë ndryshuar. Ndonëse ato për fat të keq janë shkelur nga ata që sot janë kapur pas tezës se politika po mësyn federatën.

Nëse ka një çështje që duhet zbardhur sa më parë dhe duhet të ishte objekt debati ai është konflikti I interesave, atyre ekonomike dhe financiare që janë shëprfaqur me arrogancë këto vitet e fundit dhe që edhe shpjegojnë mbrojtjen thuajse të pacipë edhe nga media kombëtare. Respublica.al