Futbollisti i shquar Mexhid Haxhiu në 75-vjetorin e lindjes

Nga Luan Çipi

Më 3 Janar 2018, Mjeshtri i Madh i Sportit, futbollisti i talentuar i Kombëtares Shqiptare, Mexhid Haxhiu, mbushi 75 vjeç.

E kam njohur Mexhid Haxhiun qysh fëmijë, kur sapo kishte filluar të shfaqej talenti i tij si futbollist. E kam ndjekur me dashuri e simpati dhe më pas, e kam përjetuar kur na çudiste me virtuozitetin e tij të pashoq të futbollistit zhongler, duke luajtur me topin e rrumbullakët dhe kur bënte veprime me vështirësi të papara. Ai, si ta kishte gjymtyrë të tij topin e futbollit, driblonte e sikur fluturonte me të dhe shënonte me lehtësi gola fantastikë e njërin më të bukurin se tjetrin.

Më tej, na bëhej zemra mal kur mësonim për korrektesën e tij maksimale në jetë e në shoqëri. Krenoheshim si vlonjat, nga çdo sukses i tij dhe, në periudhën e egërsisë komuniste të luftës së ashpër të klasave, na vinte keq për qëndrimet nënvleftësuese, denigruese e ndonjëherë fyese ndaj tij. Shumëkush e vuante poshtërimin së bashku me këtë njeri të duruar, gjithnjë të urtë, të sjellshëm e zemërgjerë. Në këtë drejtim, sidomos ne që e njihnim, indinjoheshim, se e dinim mirë edhe prejardhjen e shquar për trimëri dhe atdhetari të Familjes Haxhiu. E kaluara shkëlqente sidomos me gjyshin e tij, Osman Haxhiu, prefekt i Vlorës për një kohë të gjatë, burrë shteti që spikati në veçanti si prijës i “Luftës së Vlorës”, epopesë vendimtare për vetë ekzistencën e Kombit Shqiptar.

E kam parë Mexhid Haxhiun sapo lindi si futbollist, i instruktuar nga Vasillaq Ndini, trajneri i parë që e zbuloi. Më pas me Loro Boriçin e madh dhe, në dhjetëra ndeshje, si futbollist virtuoz të Partizanit, Kavajës dhe Flamurtarit dhe pjesëtar të imponuar nga opinioni publik, te ekipi përfaqësues i Kombëtares Shqiptare. Ai na kujtohet me kënaqësi në krahë të Panajot Panos, të Vasil Rucit, si dhe të plejadës së shquar të futbollistëve të talentuar shqiptarë, duke luajtur futboll të bukur, si rrallë të tjerë.

Stadiumi Flamurtari, aso kohe, mbushej plot me burra e gra entuziaste, që krenoheshin dhe e nxitnin në kor, futbollistin e tyre të dashur, shumë të parapëlqyer e tepër elegant. E kujtoj me respekt, kur ai rrëmbente befasisht topin dhe nisej si rrufe drejt portës kundërshtare, me fanellën kuqezi dhe numrin 10 në shpinë dhe të gjithë e ndiqnin të emocionuar duke e nxitur “forca dhjeta”! Kur i afrohej portës rrufeshëm në pozicion të volitshëm, thërrisnin gati të ngjirur: “zhyte Xhite”! Atëherë, herë me të djathtën dhe herë me të majtën, si s’pritej, goditej fluturimthi topi, që prekte një nga trekëndëshet e portës, duke fërshëllyer si plumb në formë gjethi, për t’u pleksur me rrjetat e brendshme djathtas apo majtas, ndërsa portieri shihej i shtrire në anën e kundërt. Dhe atëherë, në Vlorë, apo gjetiu në rrethet e kategorisë së parë, ku gjithnjë kishte qindra tifozë vlonjatë që shoqëronin ekipin, nuk pushonin britmat inkurajuese dhe emrat e nderit me të cilat e kishte pagëzuar populli Mexhid Haxhiun si: “uragan i ndërprerë”, “brigadieri”, “Pelja i bardhë”, etj. Kjo nuk rreshti nga ditët e para, kur e nisi si 16 vjeçar futbollin, Mexhid Haxhiu dhe në vazhdimësi, për të 16 vitet e jetës së tij aktive si lojtar titullar në fushat e futbollit, lojës masive popullore dhe ndofta, midis të paktave kënaqësi në ato ditë të vështira.

Mexhid Haxhiu u ngrit shpejt në nivelet më të lata cilësore të mjeshtërisë si futbollist, duke u klasifikuar me të drejtë dhe në anketën popullore sportive, si sportisti më i mirë shqiptar i vitit 1972 dhe së fundi u përfshi midis dhjetë futbollistëve më të mirë të vendit për të gjitha kohët. Kjo shkallë e lartë cilësore u arrit, padyshim, në radhe të parë, falë cilësive vetjake të talentit të tij të spikatur, të punës këmbëngulëse e të vullnetit të pamposhtur. Po në këtë drejtim ka ndihmuar dukshëm edhe fati që ai u lind dhe u rrit në Vlorën e futbollit. Kjo edhe pse  krahas tij, në Vlorë bashkëvepruan shumë futbollistë cilësorë, mjeshtër sporti dhe anëtarë të ekipit kombëtar të futbollit ndër vite, po dhe ngaqë Flamurtari i Vlorës ka dalë kampion kombëtar dhe ka marrë kupa e superkupa dhe për më tepër, ka fituar ndeshje të bujshme ndërkombëtare me ekipe elitare në futbollin evropian, si me Barcelonën dhe Partizanin e Beogradit.

Gjimnazisti, që maturën e mbylli me notat vetëm dhjeta, do të detyrohej të priste të vinin vitet e demokracisë që të lejohej për të vazhduar studimet e larta dhe për t’u diplomuar (prapë një çudi), së bashku me djalin e tij, po tashmë në moshën 50 vjeçare. Diploma e Universitetit për këtë njeri, ç’ është e vërteta me kulturë të gjerë autodidakte dhe zotërues perfekt i italishtes dhe anglishtes, ishte një akt formal e moral, që mposhti vetëm një nga diskriminimet dhe padrejtësitë gjysmë shekullore.

E kam të pashlyeshme në kujtesë Mexhid Haxhiun gjithashtu si trajner të brezave të futbollit vlonjat. Nuk do më dali nga mendja kurrë “spektakli me topa futbolli” i ideuar dhe i realizuar nga Mexhidi pasionant dhe këmbëngulës me një grup fëmijësh të talentuar, futbollistë të rinj: në një pushim ndeshjeje ndërkombëtare u shfaqën me madhështi në Stadiumin Flamurtari rreth 20 fëmijë shtatlartë, në gjithfarë pozicionesh, duke vrapuar me topat e futbollit në kokë, në sup, në qafë, në thembër e shputë, që me përpikëri ia përcillnin topin njëri-tjetrit me shpejtësi maksimale, për një kohë të gjatë, pa gabuar asnjëherë.

Në vazhdën e viteve, shumë më vonë e shohim Mexhidin trajner të Flamurtarit dhe ekipeve të tjerë të futbollit elitar. E shohim gjithashtu të zgjedhur në Federatën e Futbollit; të caktohet ndërmjetës me Federatën Evropiane e Botërore të futbollit dhe me sportistë e trajnerë të spikatur kudo; të jetë pedagog i trajnerëve dhe arbitrave të futbollit shqiptar. Ai shfaqet si autor dhe këshilltar asnjanës dhe përcaktues i të mirës, të përparuarës dhe të drejtës në sport, si dhe analist i thellë cilësor televiziv e deri gazetar sportiv. Mexhit Haxhiu është i vetmi trajner i futbollit shqiptar që është pranuar “Anëtar i Federatës Mbretërore të Trajnerëve Anglezë” dhe i vetmi dashamirës i revistës sportive “Francë Futboll”.

Veprimtarinë e spikatur futbollistike dhe sjelljen shembullore të Mexhid Haxhiut e njihja mirë edhe sepse merrnim pjesë së bashku suksesshëm, në aktivitetet sportive të kohës.

Këto merita ndikuan për ta quajtur atë, siç u shpall më vonë në vitet e demokracisë, me plot meritë, “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Qytetit të Vlorës”, si një sportist i vlerësuar nga mbarë opinioni publik, si një nga bijtë brilant e më të nderuar të qytetit të Vlorës e të mbarë Shqipërisë.

Po, vlerat e Mexhit Haxhiut, si personalitet shoqëror, janë të gjithanshme, për çka u binda dhe kur e dëgjova, futbollistin e shquar drejtpërdrejt, duke mbajtur një esse kritike e vlerësuese për shkrimtaren e pëlqyer e shumë produktive, Mjeshtren e Madhe të Letërsisë, vlonjaten Vilhelme Vranari, për dy librat e saj të fundit, apo kur e kundrova, në “intervistën televizive me zhurmues” te “Klani” me telekronistin dhe regjisorin e shquar Pandi Laço. Unë, në këto dy raste, jam mahnitur sërish, si në ato vite kur ai demonstronte magjinë e një futbollistit të madh. Duke e dëgjuar në këto raste, po dhe në çdo bashkëbisedim me të, zbulon se çfarë fshihet te mendja dhe koka e tij dhe sërish emocionohesh thellë, si në ato vite kur aq shumë vlerësohej më tepër këmba e tij e artë dhe njëkohësisht ndien krenari, për shokun dhe mikun e zemrës, që si kurdoherë, emeton cilësi të larta dijesh, mençurie, burrërie, vendosmërie dhe talenti shumë planesh. Në këto raste, si gjithnjë edhe për kritikën letrare, Mexhidi kishte bërë një punë serioze dhe të lavdërueshme, çka dukej, jo vetëm me mbresat dhe përfundimet e paraqitura, po edhe nga që u ishte referuar filozofëve dhe specialisteve të letërsisë, për të nxjerrë argumente bindës dhe përfundime të sakta.

Pasi lexova edhe veprën e tij të fundit mbi jetën dhe veprimtarinë e tij futbollistike, u binda dhe u mrekullova edhe njëherë, si për aftësitë dhe vullnetin e tij të çeliktë, po dhe për maturinë dhe tolerancën e tij, karakteristika këto të mbartura në vite…

Këto, gjithashtu, më nxorën në përfundimin se Vlorës dhe Shqipërisë nuk i kanë munguar thesaret njerëzore. Ato kanë qenë dhe janë midis nesh dhe u takon kryesisht drejtuesve të politikës dhe të shtetit në qendër dhe në rrethe, po dhe institucioneve e individëve me mundësitë përkatëse, t’i zbulojnë ato, t’i pasqyrojnë, t’i nderojnë e vlerësojnë, dhe si model përsosmërie, t’i vënë më mirë në dobi të kombit.

Në 75 vjetorin e lindjes, i uroj futbollistit të madh të kombit dhe qytetarit të shquar vlonjat, Mexhid Haxhiu, lumturi familjare, jetë e shëndet dhe suksese në krijimtarinë shkencore e studimore, në dobi të Futbollit Shqiptar.