Fino: Ja çdo ndodhë me administratën e FSHF-së nëse zgjidhem president

Në lidhje me të ardhmen e administratës së FSHF-së, nëse do të zgjidhej president i Federatës, Bashkim Fino deklaroi në “Rubrikën Sportive” në RTSH se: “Çfarë do ndodhë me administratën e FSHF-së nëse unë fitoj garën si president? Nuk e di se sa punonjës janë. Por, nëse punën e tyre e bëjnë më pak njerëz, do të ketë rikonstruktim.

Unë jam kritik vetëm me ata që përdoren dhe që nuk kanë personalitet. Nuk do doja që edhe administrata ime të keqpërdoret.

Kristian Panuçi? E njoh si ish-futbollist të madh kur ka luajtur me Interin, Milanin, Romën apo Realin e Madridit. Më ka impresionuar me lojën e tij, edhe kur aktivizohej tek Interi, si tifoz i këtij ekipi.

Kur ka ardhur në krye të stolit të Shqipërisë, më ka rënë në sy se po bën një lojë sulmuese.

Do të shohim objektivat që ai ka. Unë jam tip sportiv. Edhe pse ai së bashku edhe me De Biazin uronin më shumë që të zgjidhej sërish Duka në krye të FSHF-së më shumë se sa uronin festat për gjithë shqiptarët, Panuçi do të jetë trajneri i Kombëtares sigurisht duke respektuar kontratën e tij.

Debat me Dukën? Jam i hapur edhe për këtë gjë. Unë jam kritik për çka nuk është bërë mirë, por edhe di të vlerësoj gjërat që janë bërë mirë. Duka mbetet miku im dhe kushdo që do të fitojë duhet t’i shtrëngojë dorën tjetrit”.

Related Posts