Falsifikimet, kryetari i Shoqatës Durrës thellon skandalin e FSHF-së

Skandali i shoqatave fantazmë, që u zbulua pak ditë më para përmes një investigimi të kryer nga “TemA TV” dhe “Vipsport.al” sa vjen dhe thellohet edhe më shumë.

Tetë shoqata rajonale, të cilat janë Shoqata Rajonale Tiranë, Shoqata Rajonale Shkodër, Shoqata Rajonale Lezhë, Shoqata Rajonale Durrës, Shoqata Rajonale Elbasan, Shoqata Rajonale Fier, Shoqata Rajonale Korçë, Shoqata Rajonale Gjirokastër, kanë të drejtë vote si antarë të FSHF-së, por që nuk janë të ligjshme, pasi nuk janë të rregjistruara në Gjykatë.

Ky fakt u vërtetua pas kërkesës së bërë në Gjykatën e Tiranës, e cila me një përgjigja zyrtare faktoi se këto shoqata nuk ekzistojnë, pra nuk janë të regjistruara pranë gjykatës, ashtu siç e kërkon ligji.

Fakti skandaloz është se të gjitha këto shoqata rajonale kanë marrë pjesë si votues në Asambletë e mëparshme, me përfaqësuesit e tyre respektiv.

Mikel Furxhi antari me të drejtë vote për Shoqatën Rajonale të Durrësit, i kontaktuar nga “TemA TV” për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje, dha një përgjigje të shkurtër, duke mos e pranuar këtë fakt, pasi theksoi qartësisht se nuk është anëtar me të drejt vote.

“Jo nuk jam unë e keni gabim”, – ishte përgjigja e dhënë nga Mikel Furxhi. Por, emri i tij është i shkruar qartë në listën e votuesve që janë të pranuar nga Federata Shqiptare e Futbollit si të ligjshëm, si anëtarë me të drejtë vote ne Asamble.

Edhe antarë të tjerë si Ilirjan Përmeti i Shoqatës Rajonale të Korçës, Ridvan Kulli i Shoqatës Rajonale të Lezhës dhe Sulejman Mema i Shoqatës Rajonale të Tiranës kanë shfaqur padije për çështjen e mosregjistrimit në Gjykatë të shoqatës që përfaqësojnë.

Kjo tregon qartë mënyrën se si Armand Duka ka krijuar disa shoqata fantazmë që nuk janë të ligjshme por që kanë votuar në Asambletë e FSHF-së për ti siguruar atij vota të sigurta që janë pronë e paligjshme e tij.