E bujshme / Reali ishte gati të paguante klauzolën e Mesit

Lionel Mesi mund të ishte sot një futbollist i Real Madrid dhe tw luante përkrah Kristiano Ronaldos. Zbulimi i bujshëm vjen nga “Der Spiegel” në Gjermani, sipas të cilës në vitin 2013, madrilenët ishin gati të paguanin klauzolën e largimit të tij nga katalanasit.

Vetëm pak muaj para se të finalizonin asokohe blerjen e Garet Bejl nga Totenhem, avokati i lojtarit, Inigo Huarez, informoi babain e futbollistit për një interesim të madrilenëve, të cilët ishin gati të paguanin menjëherë 250 milionë euro, shifra që kishte të vendosur ai si klauzolë largimi në kontratën me barcelonën.

Edhe pse klubi i Real Madrid e ka përgënjeshtruar menjëherë këtë lajm, revista gjermane insiston se asokohe, propozimi përfshinte një rrogë prej 23 milionë eurosh neto me garancinë e kontratës deri në vitin 2021 për Mesin, si dhe një bonus prej 1 milion eurosh për babain e tij.

Detajet e kësaj firme të mundshme ishin shumë të çuditshme. Për të fshehur gjurmët, madrilenët propozonin që firma të hidhej në një avion privat, në praninë e Mesit, avokatit të tij, Florentinio Perez, drejtorit sportiv Miguel Pardesa dhe një avokati të klubit. Gjithmonë sipas të njëjtit burim, Huarez i kishte thënë Horge Mesit se Real Madrid i premtonte që të ushtronte presion mbi kryeministrin e Spanjës, Rahoi nëse lojtari do të kishte probleme me drejtësinë për evazion fiskal. /vipsport.al/