Dritë në fund të tunelit për Alijin, pranë firmës me rekordmenët e Zvicrës

Naser Aliji duket se po i jep fund “pushimeve të zgjatura” që pas largimit nga Kaizerslautern. Mbrojtësi i përfaqësueses shquiptare është shumë pranë firmës me një nga klubet më të njohura në Zvicër, Grasshopers.

Aliji është prej dy ditësh në prove te ky klub, më shumë për të parë gjendjen e tij fizike për shkak të shkëputjes së gjatë, sesa sportive, para se të diskutohen detajet e kontratës që do ta lidhë me Grasshopers, ekipin rekordmen në Zvicër për tituj të fituar, plot 27 të tillë.

Për shërbimet e tij është interesuar personalisht trajneri Marat Jakin, ai që e afroi me ekipin e parë të Bazelit mbrojtësin shqiptar dhe i dha mundësinë të debutonte në elitën e futbollit zviceran.

Kësisoj, Aliji është shumë pranë kthimit të rregullt në fushën e lojës, një nga kushtet që i kishte vendosur trajneri Panuçi për ta afruar rregullisht në radhët e përfaqësueses shqiptare të futbollit. /E.K./vipsport.al/