Cilësohet si legjendë e Mynih 1860, Pacult: Ja pse pranova stolin e Kukësit

Peter Pacult është një legjendë për Mynih 1860. Goli i shënuar prej tij në vitin 1994 (1-0) në Meppen lumturoi pa fund tifozët e klubit nga Bavaria, sepse ai gol hapi portën që “Luanët” të ngjiteshin në Bundesligën 1.

Nga 2001 deri në vitin 2003, 58-vjeçari mbjati edhe postin e trajnerit te Mynih 1860. Aktualisht, trajneri austriak drejton skuadrën e Kukësit, ndërsa në një intervistë për median lokale bavareze “Die Blaue 24” tregon mes të tjerave edhe arsyet se përse pranoi ofertën e kampionëve në fuqi të Superligës.

“Eksperiencat e fundit që kam pasur si trajner nuk kanë qenë shumë të suksesshme? Epo puna e trajnerit përfshin jo vetëm anët pozitive, por sigurisht edhe largimet nga puna. Kur nënshkruan një kontratë, nënshkruan disi edhe shkarkimin tënd prej atij posti. Për fat të keq, te skuadra e Radnicki Nis, unë kisha një kundërshtar, kundër të cilit nuk kisha shanse që nga fillimi. Më 24 dhjetor, një telefonatë më kërkoi për të nisur një aventurë tjetër në Ballkan. Ishte një kërkesë nga kampioni aktual i Superligës së Shqipërisë, Kukësi. Pas bisedës me presidentin, e pranova këtë ofertë, sepse më pëlqen ende të jem një trajner dhe nuk jam dekurajuar nga mënyra se si kanë shkuar gjërat në ‘stacionet’ e fundit që kam pasur. Përveç kësaj, ekziston mundësia që me Kukësin të arrijmë një vend në Kupat e Europës, sepse skuadra është vetëm tri pikë larg vendit të dytë”, deklaron trajneri i Kukësit, Peter Pacult./Vipsport.al/

more recommended stories