Bashkim Fino: Skandali ishte njollë e madhe për FSHF-në, çështja do të dërgohet në Prokurori

Bashkim Fino është i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, ku ka deklaruar se do të kandidojë për kreun e FSHF-së.

Sipas Bashkim Finos, ka qenë klubi i Lushnjes që ka propozuar sot emrin e tij si kandidat për president të FSHF-së, ndërsa ditën e nesërme, një gjë të tillë do ta bëjë edhe Flamurtari.

“Ka kohë që shumë dashamirës të sportit më kanë kërkuar që të jem pjesë e sportit. Kjo duke parë edhe aktivizimin tim në aktivitete sportive. Sportin dhe futbollin e njoh mirë, sepse kam ndjekur dhe kam lexuar shumë. Trajnerin nuk e bëj dot, normale.

Është momenti që të bëjmë një ndryshim në futbollin shqiptar. Duke krijuar një imazh të futbollit shqiptar.

Unë jam në një garë me mikun tim Duka, sepse ne nuk po bëjmë një garë të ashpër, por mbi platforma të caktuara.

Koha deri te zgjedhjet është e shkurtër, ndaj edhe koha për fushatë është e shkurtër. Unë së bashku me stafin tim kemi bërë gati një platformë.

Ndoshta më mirë do të ishte që për të shpalosur kandidatët të bëhej në një Asamble. Më pas të lihej një kohë e nevojshme për fushatë, por edhe për sondazhet e duhura.

Avantazhi në fakt, në këto kushte është i presidentit Duka. Unë në fakt jam në disavantazh me Dukën në këto kushte, pikërisht për kohën deri te zgjedhjet, sepse ai ka qenë 16 vjet në krye të FSHF-së.

Klubet që më kanë propozuar? Unë e kam lexuar statutin e FSHF-së dhe aty thotë qartë se mjafton një klub për kandidim. Jam njoftuar nga dy ose tre klube që më kanë kandiduar. Sot më ka kandiduar klubi i Lushnjes. Nesër do të më propozojë edhe klubi i Flamurtarit si kandidat për kreun e FSHF-së.

Unë jam një politikan karriere i vjetër. Duka ka qenë që kemi qenë shokë, por mund të kemi qenë në klasë në Fakultetin e Ekonomikut. E kam nisur politikën duke nisur si kryetar bashkie deri te Kryeministër. Kam 20 vjet deputet. Nga pikëpamja ligjore nuk më pengon asgjë për të kandiduar si president të FSHF-së. Kandidatura ime nuk do të thotë se politika do të fusë duart te sporti. Nëse do të zgjidhem si president i FSHF-së, unë do t’i kushtohem futbollit 24 orë.Me ligj, nuk është e detyrueshme që një deputet të heqë dorë nga pozicioni i tij për të kandiduar si president i FSHF-së. ”, tha Bashkim Fino në “Rubrikën Sportive”.

Të drejtat televizive-“Si do të jenë tenderat për shitjen e ndeshjeve nëpër operatorët televizivë të Superligës dhe të ndeshjeve të Kombëtares?

Të gjithë operatorët televizivë të vijnë të shpalosin platformën e tyre. Gjithçka do të jetë transparente, ku prezentë do të jenë të gjitha televizionet.

Unë nuk mbaj anën e asnjë televizioni. Kjo pasi të gjitha mediat duhet të jenë të kënaqur.

Meqe jemi te kjo pjesë, të gjitha fondet që vijnë nga UEFA, apo nga të drejtat televizive, do të jenë për klubet e futbollit.

Ndaj besoj se do të ketë ndryshim edhe të tarifave që përfitojnë ekipet nga të drejtat televizive dhe nuk do të përfitojnë vetëm klubet e Superligës nga këto fonde, por edhe ato të kategorive inferiore.

Një nga pikat e forta të miat janë decentralizimi i kompetencave. Të gjitha komisionet do të kenë forcën e tyre dhe përgjegjësinë e tyre korekte. Këto komisione duhet të marrin vendime jo me dy standarde.

Punën nuk e bën një president Federate. Punën nuk e bën dot një njeri. Jemi në futboll, ndaj edhe duhet punuar si ekip. Komisionet përkatëse në FSHF nuk do të kenë asnjëherë ndikim nga presidenti i FSHF-së.

Statuti i FSHF-së? Është një statut me 60 nene? Ky në fakt është një udhëzim, një rregullore. Statuti duhet të jetë me 10-15 nene, si Kushtetuta dhe më pas të ketë rregullore për komisionet përkatëse apo të tjera me radhë.

Përshembull: FSHF ka 66 anëtarë. Pse duhet shkruhet kjo gjë? Në të ardhmen mund të ndryshojë ky numër”.

EUROPIANI– Në lidhje me suksesin e Shqipërisë në Europian, Fino deklaroi: “Në Europian nuk luajti Duka apo Fino. Në radhë të parë është merita e lojtarëve, më pas e stafit teknik dhe më pas edhe e drejtuesve të FSHF-së.

Unë e kam ndjekur një ndeshje të Shqipërisë në Europian bashkë me zotin Duka”, ndërsa për sa i përket deklaratave mbështetëse të Ansi Agollit dhe Andi Lilës për kandidaturën e Armand Dukës, Bashkim Fino u shpreh: “Para se të vija këtu në studio pashë që kishin shkruar Ansi Agolli dhe Andi Lila në mbështetje të Dukës. Por, ata janë të përdorur. Dikush do t’i ketë thënë që të shkruajnë për Dukën.

Ata janë djem të mrekullueshëm, lojtarë të mrekullueshëm që na kanë bërë krenarë. Por, kjo gjë nuk është korrekte. Çfarë do ndodhë nëse nesër unë do të jem në krye të FSHF-së? Ata do të jenë aty sërish si lojtarë të Kombëtares. Por çfarë do të thonë: Rroftë Fino? Këtë nuk e dua unë”.

Ekipi që mbështet– “Jam tifoz me Luftëtarin e Gjirokastrës. Unë kam ndjekur çdo takim të këtij ekipi edhe nga shkallët e stadiumit. Dua të vlerësoj punën që ka bërë presidenti Tavo deri në këto momente. Kam parë edhe lajmet sa i përket largimit të Abazajt nga Luftëtari, por sa mirë që ky futbollist do të qendrojë deri në fundin e sezonit me ekipin e Luftëtarit”.

Skandali i shoqatave- “Skandali i fundit i shoqatave ishte një minus i madh për Presidentin e FSHF-së dhe Komunitetin Ekzekutiv. Prisja një reagim nga Federata dhe të kërkonin falje për provat e nxjerra. Madje mund ta konsideronin edhe si çështje teknike, por kjo nuk ndodhi. Nuk kemi garanci nëse këto shoqata nuk janë kriminale dhe ky është problemi. Duhet të kërkohen falje dhe ata persona nuk duhet të afrohen në derën e 7 shkurtit, ose të kundërt do të shkojnë në Prokurori.

Presidenti nuk kishte nevojë për këto vota, por e gjitha kjo i vë një njollë të madhe kreut të FSHF-së. Unë kam ngritur një studio ligjore për ta ndjekur këtë çështje. Asnjë nga 8 shoqatat nuk është regjistruar nga ana e Federatës. Janë kërkuar që këto shoqata të regjistrohen gjatë këtyre ditëve.

Sipas të dhënave të mia është regjistruar vetëm shoqata e gjyqtarëve. Më e turpshme ishin edhe reagimet nga persona të ndryshëm, që kanë pasur vendimmarrje në këtë çështje, duke ia kaluar fajin Federatës. Dua të përsëris edhe njëherë faktin që personat që kanë bërë shkelje duhet të përballen me ligjin. Të gjitha firmat e atyre të kanë votuar do të shkojnë në Prokurori. Për më tepër nuk ka as numër llogarie, ku janë bërë derdhjet monetare. Prandaj këta persona duhet të kërkonin ndjesë”.