ZGJEDHJET NË FSHF/ Shulku: Unë nuk kandidoj, Duka s’ka vendosur. Fino? Kandidat jo korrekt

Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku është i ftuar në emisionin e “Rubrika Sportive” në RTSH.

Shulku ka folur për rivalitetin mes Skënderbeut dhe Kukësit për titullin kampion në këtë sezon duke bërë një analizë të shkurtër.

“Largimi i disa titullarëve ka ndikuar te Kukësi në këtë sezon. Gjithashtu edhe ndërrimi i stafit teknik ka ndikuar që kuksianët nuk janë në formën e tyre më të mirë.

Skënderbeu në fakt e ka ruajtur boshtin e ekipit dhe kjo ka bërë që të jetë më lart me pikë se Kukësi.

Diferenca me 9 pikë që është Skënderbeu ndaj Kukësit nuk është shumë, por është shumë e rëndësishme për korçarët, sepse kanë avantazh të lartë në lidhje me çështjen e titullit kampion.

FSHF është e kënaqur me mbulimin e transmetimit të ndeshjeve në Superligë dhe Kategorinë e Parë.Kjo gjë ndihmon në mbarëvajtjen e garës, sepse monitorohet çdo gjë.

Pirateria nuk është aspak e mirë, sidomos për televizionet që paguajnë për të marrë një transmetim të caktuar. FSHF ka kërë një ankesë në AMA dhe kjo gjë shpresoj të marrë një zgjidhje të shpejtë.

Për sa i përket tenderit për të marrë transmetimin e ndeshjeve të Superligës do të vendosim në një moment tjetër, pikërisht në vitin 2018-të dhe RTSH do të marrë ftesë zyrtare për të qenë pjesëmarrëse në tender për të konkurruar.

Çështja e titullit që iu hoq Skënderbeut është tashmë në gjykim. Skënderbeut ka çuar këtë çështje në KAS, duke apeluar vemdimin e Komisionit të Etikës.

Në momentin që do të përfundojë ky gjyq në KAS, atëherë do të merret vendim nëse titulli që iu hoq Skënderbeut do t’i jepet Partizanit apo jo.

Armand Duka nuk ka vendosur nëse do të kandidojë sërish në zgjedhjet e radhës për presidenti të FSHF-së. Unë nuk do të kandidoj, kjo është e sigurt.

Bashkim Fino kandidat për president të FSHF-së? Politika nuk duhet bërë pjesë e sportit. Nuk është korrekte që një politikan të hyjë në sport. Nuk ka gjë të keqe që Bashkim Fino të kandidojë, por siç e thashë, politika nuk duhet të hyjë në sport. Politika prish punë në sport”, tha sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.

more recommended stories