VIDEO / Kololli shënon dy gola në Zvicër, Paqarada jep spektakël në Gjermani

E diela ka qenë një ditë pozitive për futbollistët e përfaqësueses së Kosovës pasi dy prej tyre kanë gjetur sot rrugën e rrjetës në kampionatet përkatëse.

Benjamin Kololli konfirmohet si një nga emrat më interesant në kampionatin zviceran. Mesfushori i Lozanës ka shënuar dy herë sot në fitoren 5-1 ndaj Zyrihut, duke iu afruar kreut të renditjes së golashënuesve më të mirë të kampionatit, pasi ka gjetur 7 herë rrugën e rrjetës në këtë edicion. Për lojtarin janë interesuar në muajt e kaluar disa klube prej kampionateve më të njohura si ai italian e gjarman ndaj nuk përjashtohet mundësia që falë këtyre paraqitjeve, Kololli të sigurojë një kontratë më të rëndësishme.

Ndërkaq, në Bundesligën 2 ka qenë Leart Paqarada ai që ka gjetur rrugën e rrjetës për Sandhausen në suksesin 3-1 ndaj Holshtajn Kiel. Mbrojtësi ka shënar me një goditje dënimi perfekte duke i dhënë avantazhin e përkohshëm 1-0 skuadrës së tij, duke realizuar golin e tij të tretë personal në këtë sezon. /vipsport.al/