Presidenti i Shkëndijës së Tetovës, i ftuar i Grasshopers në Zvicër. Bashkëpunim mes klubeve?

Shkëndija e Tetovës është shpallur kampione e dimrit në kampionatin e Maqedonisë, duke bërë një gjysmë sezoni fantastik.

Për të vijuar me këto rimte, por pse jo edhe për të përfituar nga shitja e ndonjë prej “xhevahirëve” të skuadrës, klubi shqiptar që merr pjesë në kampionatin maqedonas, tashmë ka nisur të lëvizë për të vendosur “piketat” për merkaton e dimrit.

Edhe pse dritarja e transferimeve ende nuk është hapur zyrtarisht, drejtuesit e Shkëndijës duket se kanë bërë hapin e parë drejt transferimeve të dëshiruara, si në hyrje ashtu edhe në dalje.

Një gjë e tillë mund të thuhet, edhe pse jo me siguri, tashmë që presidenti i Shkëndijës së Tetovës, Visar Bexheti ka pasur një takim në zyrtat e klubit zvicerian, Grasshopersit.

Presidenti i Shkëndijës ka qenë i ftuar i Drejtorit Ekzekutiv të Grasshopers, Manuel Huber, ku kanë ndjekur takimin kundër Baselit.

Ende nuk mund të flitet me siguri për një bashkëpunim mes Shkëndijës së Tetovës dhe Grasshopers, por një gjë e tillë nuk përjashtohet në të ardhmen, duke ditur faktin se klubi shqiptar ka në përbërje emra futbollistësh të afirmuar tashmë edhe në arenën ndërkombëtare si Hasani, Ibrahimi, Radeski, Totre, apo edhe Bejtullai. Pse jo, mund të ketë edhe ndonjë afrim të Shkëndijës nga Grasshopers…