Penallti të harruara, mbrojtje zhgënjyese e sfilatë në baltë… 5 gjërat që mësuam nga java e 15

Mbyllja e javës së 15-të ka shënuar rezultate të rëndësishem e lajme të bujshme, si dorëheqjen e Starovës nga drejtimi i Partizanit apo edhe humbjen në shtëi të Flamurtarit. Megjithatë, në këtë javë, përveç këtyre çështjeve spikatën edhe gjëra të tjera që ndikojnë padyshim në ecurinë e ekipeve të elitës së futbollit shqiptar. Në vijim, “VIP Sport” ju tregon 5 gjërat që mësuam nga java e 15 e Superiores…

Rivalët po ia dhurojnë titullin Skënderbeut

Humbja e Skënderbeut përballë Laçit bëri që të gjithë të mendonin se ndoshta eksistonte një rreze shprese që rivaliteti për titullin kampion të ishte më i ndezur në javët në vijim. Por Kukësi dhe Kamza që e ndiqnin u mundën po si korçarët. Skënderbeu iu kthye fitoreve këtë fundjavë, kurse Flamurtari që deri dje shihej si rivali i tij i madh, u ndal në shtëpi, ndaj korçarët rivendosën distancën e sigurisë prej 9 pikësh ndaj ndjekësit më të afërt. Nuk e bëjnë me qëllim, por gabimet e tyre, rivalët po “bëjnë maksimumin” që titulli të kthehet në Korçë.

Vazhdon masakra e arbitrave, vlonjatët e gjirokastritët i kanë harruar si janë penalltitë

Ju kujtohet penalltia e fundit që ka fituar Flamurtari këtë sezon? Po ajo që ka marrë Luftëtari? Po Lushnja? Nuk ka se si t’ju kujtohet, sepse nuk kanë fituar të tilla edhe pse kanë luajtur secila skuadër nga 15 ndeshje. Ndoshta lagunarët kanë më pak raste për t’u ankuar, por vlonjatët dhe gjirokastritët kanë të drejtë të ngrenë zërin, se në çdo javë, cilido qoftë gjyqtari a kundërshtari, një gjë është e sigurt: për ta nuk do të vërshëllehet penallti edhe nëse bëhet nami në zonë. Njëkohësisht, duhet të jenë të kudjesshhëm se herët a vonë do ta pësojnë një kundër, edhe kur faulli ndodh jashtë. Nëse kjo nuk është tendencë, atëherë është paaftësi e vazhdueshme. Se për cilën duhet të shqetësiohemi më shumë, nuk e kemi kuptuar ende…

Mbrojtjet “fusin ujë”

Partizani dhe Kukësi ishin dy skuadrat ndaj të cilave ishte shumë e vështirë të shënoje një vit më parë dhe fakti që ishin në garë deri në fund për titullin, ishte rrjedhojë e pathyeshmërisë së tyre. Të kuqtë pësuan 17 gola në 36 ndeshje, verilindorët vetëm një më shumë. Por bilanci i sezonit aktual tregon se problemi kryesor i këtyre dy klubeve me sa duket është paaftësia për të mbrojtur portën. Pas 15 ndeshjesh, Partizani ka arritur në 15 gola të pësuar, ndërsa Kukësi e ka tejkaluar këtë shfiër, duke shkuar në 17. Dy skuadrat kanë humbur armën e tyre më të fortë dhe dalja nga identiteti mjafton për të kuptuar se pse kanë kaq shumë vështirësi në këtë sezon.

Balta mbulon stadiumet

Meqë jemi te uji, ai ishte kryefjala e thuajse çdo ndeshje në këtë javë të Superiores. Në Vlorë ndeshja u luajt në dy ditë meqë stadiumi u kthye në pishinë. Para ndeshjes në Durrës, futbollistët e dy skuadrave kthyen fushën në sfilatë, duke provuan çdo lloj këpuce që kishin me vete për të evituar rrëshqitjet në një terren i cili në fund të ndeshjes kishte marrë pamjen e një are të sapopunuar. Edhe trajneri Daja i këshilloi lojtarët e tij ët luanin si rrallëherë me top të gjatë ndaj Lushnjës. Fatkeqësisht jemi mësuar me skena të tilla që përsëriten vit pas viti. Dhe do të vazhdojë kështu derisa FSHF t’i thërrasë mendjes dhe të veprojë si shumë kampionate të tjera që afrojnë fillimin e sezonit për të evituar që në periudhën e shirave të luhet në kushte të tilla.

Kush tha që revolucioni Gjici nuk funksionon?

Futbollistët e Kukësit duket se e kanë kuptuar që presidenti Gjici e ka seriozisht. Milinkoviç është i paprekshëm ndaj nëse duan të vazhdojnë të jenë pjesë e kësaj skuadre ku mirëpaguhen, duhet t’i binden atij. Ekipi u transformua si me magji, të gjithë ata që gabonin ndërhyrjet më të thjeshta deri një javë më parë, sot ishin thuajse të pakalueshëm, luftonin në çdo top dhe ishin gati të sakrifikonin për skuadrën. Kush mendonte se “revolucioni Gjici” nuk do të funksiononte, sot ka marrë përgjigjen e parë…