“Paqja” i bën mirë Kukësit, Milinkoviç e ka në dorë skuadrën

Ndoshta presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka pasur të drejtë kur e ka votëbesuar disa herë trajnerin Mladen Milinkoviç në stol dhe ka fajësuar merkaton e dobët verore për rezultatet e deritanishme. Me këtë grup lojtarësh që kanë kampionët në fuqi aktualisht, ndoshta ky është maksimumi sa u takon rezultateve.

Pas një periudhë të trazuar në marrëdhëniet mes drejtuesve, sidomos pas humbjes në Korçë, para ndeshjes me Teutën u kthye “paqja” te Kukësi dhe duket se ky ishte “ilaçi” më i mirë. Trajneri serb dhe menaxheri i klubit, Naim Halili, dolën bashkë në conference për të treguar publikisht se “lufta” mes tyre ishte mbyllur.

Bashkëpunimi mes të gjithë faktorëve sigurisht që sjell sukses dhe kjo u vërtetua në Durrës. Skuadra reagoi mire, përmbysi rezultatin dhe e mbrojti fitoren me 10 vetë.

Kukësi është kthyer në vend të dytë dhe me përforcimet që pritet të bëjë në janar mund të jetë rival edhe më i fortë për Skënderbeun. Gradualisht po vërtetohet se disa zgjedhje të trajnerit Milinkovoiç janë të sakta, duke nisur nga mesfshori Ethemi, i cili po rritet nga ndeshja në ndeshje dhe ndaj Teutës i dha fitoren skuadrës. Edhe aktivizimi i Idrizit duket një zgjedhje e goditur. Vipsport.al/F.R