Mediat italiane: Berisha “kalon klasën”, Strakosha shpëton Lacion

Atalanta barazoi mbrëmë 3-3 ndaj Lacios, në një ndeshje që vendosi përballë dy portierët e kombëtares sonë, Thomas Strakosha dhe Etrit Berisha. Të dy gardianët u detyruan që ta nxirrnin topin tre herë nga porta e tyre, teksa mediat italiane kanë vlerësuar më shumë lojën e portierit të bardhekaltëve.

Strakosha ishte vendimtar për skuadrën e tij në disa momente me disa nga ndërhyrjet e tij, që e mbajtën skuadrën e Inzagit në lojë, ndërkohë që Berisha u tradhtuar nga mbrojtja e tij dhe nuk mundi që të bënte mrekullinë në rastet që u krijuan për kundërshtarët.

“Gazzeta dello Sport” në numrin e sotëm e ka vlerësuar me notën 5 prezantimin e Etritit. “Hipnotizohet nga goditjet e Milinkoviç. Nuk mund të bënte asgjë në rastin e golit për 3-3”, shkruan gazeta italiane.

Strakosha ndërkohë është vlerësuar si një ndër më të mirët në ekipin e tij, teksa gazeta italiane u vlerësua me notën 7. “Pret me këmbë për të evituar golin për 3-0 në goditjen e Kristantes, ndërkohë që më vonë shmangu dhe golin për 4-2 të Gomez”, shkruhet në vlerësimin për portierin e talentuar.

Strakosha po shkëlqen gjatë këtij sezoni, teksa është një ndër më të mirët në ekipin lacial, duke qenë vendimtar me ndërhyrjet e tij. /Rozalb Lika- vipsport.al/