Konte tërbohet me mediat: Bollë më, çdo ditë ka zëra për të ardhmen time

Ky sezon nuk është aspak i thjeshtë për Antonio Konten, i cili pas fitimit të Premier League me Çelsin vitin e kaluar, tashmë renditet vetëm në vendin e tretë me 14 pikë më pak se Siti. Në Angli po përflitet shumë për ndryshime në pankinën e Bluve të Londrës, teksa italiani kërkon më shumë respekt.

“Çdo ditë ka zëra për të ardhmen time, por nuk është e drejtë sepse mendoj se meritoj respekt për atë që kam bërë sezonin e kaluar dhe atë që po bëj tani”, ka thënë Konte.

Madje është përfolur edhe për një afrim të mundshëm të Ançelotit në vitin 2018 në vend të strategut italian.

“Lexoj çdo javë se ky apo ai trajner ka kontakte, kjo për mua nuk është problem, por mund të jetë për futbollistët. Kam ende një kontratë, ndaj dhe mendoj vetëm për të përmirësuar lojtarët dhe skuadrën time. Sezonin e kaluar kemi bërë një punë shumë të mirë, të cilën po e vazhdojmë edhe tani. Për një ekip si Çelsi është e rëndësishme që të krijojmë besim për të ardhmen”, u shpreh ish-trajneri i Juventusit. /Rozalb Lika- vipsport.al/