Klevis Dalipi: Humbje shumë e rëndë për fanellën e shenjtë të Partizanit

Pas ndeshjes së humbur 5-0 në Gjirokastër, trajneri Starova nuk ka dalë të prononcohet, pasi kishte marrë vendimin për dorëheqje. Në vend të tij ka dalë ndihmëstrajneri Klevis Dalipi, i cili u shpreh se humbja është shumë e rëndë për fanellën e shenjtë të Partizanit:

“U ndëshkuam me 3 gola nga kundërsulmi i Luftëtarit. Në pjesën e dytë u munduam të vinim ekulibrat në fushë, por skuadra nuk reagoi. Ishte shumë e vështirë në atë moment.

Futbolli është kështu. Ka edhe ditë të këqija. Nuk duhet ta bëjmë dramë. Ne fituam disa ndeshje radhazi, po ne bëmë një paraqitje të dobët sot. Por kjo është një humbje e rëndë për një fanellë të shenjtë si e Partizanit.

Në pjesën e parë kishim marrë masa për sulmin e Luftëtarit. Nuk ishim të përqendruar në atë fazë loje, ku kishim punuar shumë gjatë javës. Patëm disa mundësi në pjesën e parë, kur ndeshja ishte 1-0, dhe nëse shënonim, loja mund të merrte rrjedhë tjetër. Edhe goli i tretë erdhi nga ndërhyrhje të gabuara të lojtarëve tanë.

Këta lojtarë na bënë të lumtur me fitoret që arritën, por ka edhe ndeshje të tilla, që duhen harruar. Luftëtari e meritoi fitoren, nuk kam çfarë them tjetër”, – u shpreh Dalipi pas ndeshjes.