Eri Lamçja: Luftëtari ka sulmin më të fortë, ja ç’duhet të bëjë presidenti!  

Luftëtari i ka befasuar të gjithë me fitoren e madhe ndaj Partizanit, duke shënuar plot 5 gola në portën e kuqe. Vëmendjen e ka marrë ai gol i Kristal Abazajt, ndërkohë që sulmuesi Eri Lamçja më në fund është zhbllokuar dhe ka shënuar dy golat e parë në kampionat. Ishte ai që thelloi fitoren ndaj të kuqve në pjesën e dytë me një dopietë.

Në një intervistë për “Vip Sport”, futbollisti 23-vjeçar elbasanas tregon emocionet e fitores dhe kënaqësinë për golat. Nuk është “xheloz” për Abazajn dhe thekson se do të ishte mëkat që Luftëtari të rrezikojë rënien.

Lamçja, a e kishit menduar para ndeshjes se mund të arrinit atë rezultat ndaj Partizanit?

Fitoren e kishim menduar, por jo në ato shifra. Luftëtari është një ekip që sulmon nga fillimi i ndeshjes e deri në fund, kështu që nuk është çudi që shënon 5 gola në një ndeshje, por ndoshta askush nuk e kishte menduar se do ta bënim ndaj Partizanit. Patëm fat dhe shfrytëzuam çdo mundësi.

Ka pasur më shumë komente për gjendjen e dobët të Partizanit se për lojën tuaj të bukur. Ju vjen keq për këtë fakt?

Ne kemi meritat tona dhe duhet të na vlerësojnë për atë që japim. Por dihet që Partizani është një ekip i madh dhe merr më shumë vëmendje nga shtypi sportiv.

Po ashtu, pati shumë komente për golin e Abazajt, i cili pa dashje ju mori skenën…

Jam shumë i lumtur për Abazajn, sepse shënoi golin më të bukur të Superligës. Nuk jam “xheloz”. Sigurisht, jam i lumtur edhe për dy golat e mi dhe mbi të gjitha për fitoren e Luftëtarit.

Po rriteni dhe po merrni më shumë pikë në javët e fundit. A ka mundësi ky ekip t’i largohet zonë së rrezikshme të rënies?

Besoj se po. Të gjithë e kanë parë se çfarë loje bën Luftëtari. Ne luajmë njësoj edhe me ekipet e tjera të mëdha, jo vetëm me Partizanin. Edhe me Skënderbeun dhe Kukësin kemi luajtur mirë, në sulm. Gjithmonë kemi krijuar raste, por me Partizanin arritëm të shënonim. Duhet të marrim më shumë pikë dhe të ngjitemi në renditje.

Flitet shumë për merkaton e janarit dhe për një largim të mundshëm të Bregut apo Abazajt. Sa do të dëmtohej Luftëtari?

Nëse ikën njëri prej tyre, Luftëtari humbet shumë. Akoma më shumë, nëse ikin të dy. Ne kemi një repart sulmues shumë të mirë, që krijon shumë raste në çdo ndeshje. Do të ishte mirë që presidenti ynë të arrinte t’i mbante të gjithë lojtarët edhe për këto 6 muaj, në mënyrë që loja e Luftëtarit të mos dëmtohej. Të them të drejtën, në verë mendova largimin, por kur Bregu, Abazaj, Rroca dhe të tjerë vendosën të qëndronin, qëndrova edhe unë. Të gjithë bashkë mund të bëjmë më mirë, aq më tepër që në pjesën e dytë të sezonit do të kemi edhe Vasil Shkurtajn, por ndoshta do të bëhen edhe përforcime të tjera.

Ju po luani si qendërsulmues. Ju krijon vështirësi ky pozicion?

Unë jam një sulmues, por te Luftëtarin po bëj sulmuesin pykë. Detyra ime është të krijoj sa më shumë hapësira për shokët e sulmit dhe jam përpjekur maksimalisht ta bëj këtë. Tani shënova edhe golat e pare.

Keni përpara ndeshjen me Kukësin. Është gati Luftëtari për një tjetër surprizë?

Atje do të jetë shumë e vështirë, por ne, duke bërë lojën tonë të zakonshme, mund të marrim rezultat pozitiv. Por më mirë le t’ia lëmë fushë…   Vipsport.al