Idrizi: Kemi gati dosjen për në Gjykatë, do ta merrni vesh shumë shpejt

Kreu i Flamurtarit, Sinan Idrizi, por edhe gjithë komuniteti futbolldashës në Vlorë, tashmë janë imunizuar më “virusin” e gjykimit, sepse skuadra e tyre po goditet sistematikisht në këtë kampionat.

Tashmë reagimi për një penallti të paqenë kundër apo një të mohuar në favor, është shumë normal dhe habi për vlonjatët do të jetë nëse do të jepet ndonjë penallti për Flamurtarin.

Administratori Sinan Idrizi sqaron për “Vip Sport” se klubi ka gati një dosje për ta çuar në Gjykatë, sepse gjykimi, sipas tij është vetëm pjesa që duket. “Vetëm ta shikonit një plak 87-vjeçar pas ndeshjes, – shprehet numri 1 i klubit vlonjat. – Ai deshi të fliste me gjyqtarët, sepse donte t’u thoshte dy fjalë… Unë i takova gjyqtarët dhe i falënderova. Ta harrojnë se në Vlorë do të ketë gurë apo incidente. Nuk ndodh kurrë, pavarësisht acarimit të qëllimshëm që i bëhet publikut.

Por nuk janë e keqja gjyqtarët, ata janë pjesa që duket në sipërfaqe. Ata janë “ushtarë” në një lojë “shahu”, që ne na afohen për t’i ngrënë. Zgjidhjen do ta kërkojmë në Gjykatë dhe për këtë kemi gati një dosje. Do ta merrni vesh shumë shpejt se çfarë do të bëjmë”, – theksoi administratori Idrizi.

Ai ka bërë edhe pak humor në mënyrën e vet në fund, duke rikthyer në vëmendje banderolën e “Fermës së kafshëve”, që është vënë në stadiumin “Flamurtari” para disa javësh. “Derrat duhet të mësonin alfabetin dhe disa e mësuan përgjysmë, mësuan edhe fjalë, por nuk dinin t’i lidhnin në fjali. E dëgjuat mbrëmë? Mbi 30 herë u tha “maviola” në studio nga funksionari i FSHF-së” – u shpreh me humor administrator Idrizi, duke iu referuar termit që përdorte dje sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku, gjatë emisionit “Rubrika Sportive” në TVSH./Vipsport.al