Gjici – Milinkoviç, një patericë midis

Për çudinë e të gjithëve, dhe pas humbjes së turpshme (cilësuar kështu nga vetë ambienti i klubit të Kukësit ) në shtëpi nga Lushnja e vendit të fundit, presidenti Gjici ka refuzuar dorëheqjen e trajnerit Milinkoviç. Duke mos i shkuar hamendjes dashakeqe se serbi i stolit, si një “zanatali” i kontratave, nuk ka vrapuar të japë dorëheqjen, por pret që ta shkarkojë presidenti Gjici, pra për të mos ngelur “pa punë” deri në gjetjen e një skuadre të re, i bie që vërtet njëshi i kuksianëve të jetë i fiksuar pas tij. Një dashuri e paspjegueshme, edhe duke marrë parasysh efektin e kohës në krye të skuadrës që sjell për rrjedhojë edhe një arsyetim më të ftohtë më kësi situatash: Gjici ka treguar mëse një herë që nuk i duron gjatë trajnerët, edhe nëse këta janë “Made in Andej Matanë” .

Që Kukësi nuk është aty ku duhet, kjo duket sheshit. Skuadra e pompuar për të fituar gjithçka do t’i dilte përpara këtë sezon e dha krisjen e parë që në finalen e Superkupës, humbur me Tiranën që vinte në atë përballje jo me kostum finalisti, por me “zhelen” e të rënit nga kategoria. Më pas erdhi dhe zbehja në ecurinë e kampionatit – shfryrje tullumbaci kur u pa ç’forcë kishte skuadra në përballjet me ata që mund të quhen rivalë – çka solli edhe një korrektim të dytë përsa u takon objektivave. Me ç’është parë derimë tani, për kampionët do të konsiderohej sukses nëse arrijnë të marrin pjesë në Europa League. Qoftë edhe përmes Kupës, për të cilën duket se do të mobilizohet e tërë batareja e municioneve.

Në logjikë të thjeshtë, duke qenë se presidenti Gjici e ka provuar tashmë se di si të fitojë, si dhe trajneri Milinkoviç, me “pasaportën” e Luftëtarit, të jep garanci për nivel profesional, aty ku është çaluar ka qenë kontigjenti i futbollistëve. Pranuar fillimisht në surdinë, e më pas, kur nisën të “shtrembërohen” rezultatet, edhe me zë të plotë, stoli i kampionëve ishte – mirëkuptim për termin – mbushur me “mbushës topi”, krahasuar me “snajperët” e fushës. Për më tepër, në vend që të plotësohej ambicja e Gjicit për të rritur forcën e skuadrës me elementë të spikatur, largim – afrimet e verës rezultuan gati një bllof. Shtoji këtyre dhe atë që është e gjithëpranuar historikisht,  “më vështirë është të mbash, se sa të arrish”, skuadra e klubi nuk qenë në gjendje të përballonin revanin e Skënderbeut e madje as “kryengritjet e të vegjëlve” që nuk druheshin më kur luanin përballë tyre.

Lushnja si kapak, ajo që u pa qartë në humbjen e fundit ishte dhe një mungesë dëshire e fryme luftarake. Do të ishte e tepërt – nëse e vërtetë, e trishtueshme – që të besosh se lojtarë të veçantë e shfaqin në mënyrë të tillë pakënaqësinë ndaj trajnerit, por ajo që është deklaruar mbrëmë se, në njanar do të ketë spastrime lojtarësh, i shkon kësaj ideje.

Sidoqoftë është për t’u mbështetur qetësia e presidentit, përkundër toneve të larta e tensionit direkt pas humbjes së djeshme. Zoti Gjici duhet kësisoj të ketë kuptuar se pamundësia e trajnerit Milinkoviç për të përsëritur suksesin e vitit të kaluar është objektive. Ndaj, edhe pse tepër e vështirë përsa i takon periudhës e specifikës, tregu i janarit duhet të jetë shumë më cilësor. Aktualisht, Milinkoviç e ka argumentin për t’u justifikuar: mungesën ne cilësisë së kontigjentit. Në kësi rastesh të vjen kujtohet shprehja e trajnerit të Tiranës së madhe të viteve ’60 – ‘70 të shekullit të kalur, të ndjerit Myslym Alla: “Po më dhatë miell misri, mos më kërkoni bukë gruri!”.

Dhe një skuadër futbolli nuk është “punë kallamoqi”!

more recommended stories