Fetollari: Tirana është për Superiore, ndikoi mungesa e Çekiçit

Pogradeci ka marrë një humbje të thellë në “Selman Stermasi” përballë Tiranës. Në fillimin e takimit nuk pritej një surprizë nga ana e miqve, por gjithsesi ajo humbje e marrë me atë rezultat kundër Tiranës, ishte e tepërt për Pogradecin.

Kjo humbje ka reflektuar në renditjen e Pogradecit, pasi ka lënë vendin e 3 duke rrezikuar madje të parakalohet edhe nga Tomori. Megjithatë trajneri i Pogradecit, Festim Fetollari, kërkon të anashkaloj sa më shpejtë këtë takim, për të mos ndikuar në psikologjinë e skuadrës. Në një intervistë për “Rtsh”, Fetollari e ka cilësuar Tiranën si një ekip që është gati për Superioren, ndërsa nuk ka lënë pa komentuar edhe mungesën e Çekiçit.

“ E dinim që Tirana është një ekip i një niveli të lartë. Megjithatë ky është futbolli dhe ne duhet ta pranojmë. Kemi humbur një ndeshje përballë Tiranës, që në fakt ka një nivel që meriton Superioren. Ne e kishim vlerësuar ekipin e Tiranës në maksimum, por në fund nuk arritëm të dilnim ashtu siç ne dëshironim.

Dua të theksoj faktin që në këtë ndeshje na mungoj një prej lojtarëve kyç në organikën tonë, që është Albi Çekiçi. Ai ka shënuar 10 gola deri tani në Kategorinë e Parë dhe mungesa e tij u ndje shumë në këtë takim.

Ne nuk  dëshirojmë të përfundojmë thjeshtë në 5 vendet më të mira në këtë kampion, por në 3 vendet më të mira. Për këtë shpresojë të na ndihmojë merkato e janarit”, është shprehur Fetollari. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/