Çështja “Skënderbeu”, si i lamë vetëm ambasadorët tanë

 

Skënderbeu ka humbur ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Europa League dhe një gjë e tillë nuk është e jashtëzakonshme, madje jo vetëm për një skuadër shqiptare. Por nga ana tjetër, kjo ishte humbja më diskriminuese që ka pësuar një skuadër futbolli e kontinentit. Pikërisht në vitin 2017, një ekip që përfaqëson një vend në një nga kompeticionet më të rëndësishme, privohet nga shërbimet e një prej futbollistëve titullarë, për arsyen ordinere, sepse një ambasadë nuk e pajisi me vizë. Duhet theksuar, se edhe kundërshtarët e Jang Bojs kishin mungesa në mbrëmjen anti-Skënderbe, ndoshta po aq të rëndësishme sa edhe të miqve të tyre nga Korça, por në këtë rast nuk mund të flitet për paralelizëm, pasi nuk është e njëjta gjë. Ishte trajneri i tyre, ai që kishte vendosur për një rotacion në skuadrën e tij, meqenëse edhe objektivat ishin ezauruar, ndërsa për formacionin e Skënderbeut vendosën Ilir Daja dhe konsulli zviceran në Tiranë, madje ky i fundit pa dëshirën e teknikut të bardhekuqve.

Pse iu refuzua viza sulmuesit tonë Xhejms Adeni? Personalisht do të më dukej interesante të mësoja variantin origjinal, të atij zotërisë së ambasadës, i cili ka të drejtën ekskluzive të përdorimit të asaj vulës që të lejon të hysh legalisht në vendin e tij. Do të ishte fare e pavend, nëse arsyeja është, se edhe futbollisti afrikan nuk të jep garanci që do të kthehet sërish, siç ndodhi me peshngritësin tonë Daniel Godelli (një medalist i mundshëm), të cilit iu mohua pjesëmarrja në Botërorin e Kalifornisë. Sipas “Transfer Market”, vlera e kartonit të Xhejm Adeni është 450 mijë euro dhe nuk ka se si të jetë ky ai lloj nigeriani, që do të ishte i lumtur nëse pjesën e mbetur të jetës do ta vazhdonte si refugjat në Bernë.

Por, në këtë histori ka edhe diçka tjetër që të bën aq shumë përshtypje, saqë të irriton… Eshtë pikërisht indiferenca që e shoqëroi ngjarjen, si nga organet shtetërore, ashtu edhe nga ata që drejtojnë futbollin, madje jo vetëm zyrtarët e përgjumur të FSHF-së. Skuadra e tanishme e futbollit, Skënderbeu, është kthyer në një përfaqësuese dinjitoze e Shqipërisë në Europë, duke ndikuar në përmirësimin e imazhit, kështu që nuk e meriton të nëpërkëmbet, qoftë edhe nga një përfaqësi diplomatike e rëndësishme. Ndërsa nga ana sportive, ekipi korçar i ka dhënë ngjyra të ndezura historisë së futbollit të vendit e në këtë rast, një suport i FSHF-së, si rrallëherë kur ndodh do të ishte i ndershëm. Ndërkohë që çudia është se si mund të jetë indiferente UEFA, institucioni që vihet në lëvizje me agresivitet edhe pas një relacioni të “FederBet”. Drejtuesit europianë të futbollit kanë pranuar t’i vijnë në ndihmë disa herë këtyre vigjilentëve, me të drejtë dhe pa të drejtë, duke kërcënuar edhe me masa ekstreme.

Një herë, sipas logjikës së programit “Milioneri”, nga selia në rrugën e Elbasanit përdorën variantin “telefonoi një miku”, për të mos lejuar të hyjë në institucion Kontrollin e Lartë të Shtetit, qoftë edhe për të bindur publikun, se FSHF nuk është kthyer në një parajsë fiskale, ashtu siç mendon një pjesë e tij. UEFA e shpëtoi me Deloitte & Touche, ndërsa në të kundërtën premtoi përjashtimin e Shqipërisë nga të gjitha kompeticionet futbollistike ndërkombëtare. Në atë kohë, titullarët e futbollit e pranuan me kënaqësi këtë propozim despotik, pasi mund të vazhdonin të ishin titullarë edhe pa futboll. Ndërkohë që, për rastin “Skënderbeu”, nuk u bë kurrë ajo telefonata magjike dhe në fund pamë vetëm Ilir Dajën t’i dhembte gjithçka ndodhi. Pamë Dajën, por sigurisht që këtë gjendje duhet të ketë përjetuar edhe i gjithë klubi korçar. Çfarë do të ndodhte, nëse zviceranët e Jang Bojs nuk do t’i lejonim të udhëtonin për në “Elbasan Arena”, së bashku me kamerunasit Moumi Ngamaleu dhe Nsame (fqinjë me nigerianin tonën Xhejms), Asale dhe Sanogo nga Bregu i Fildishtë, apo Kasemin nga Gana? Sigurisht që nuk do të ishte gjetje ideale e jona, por as që do të na lejonin, ndërkohë që me më shumë se 50% të mundësive, Skënderbeu do të largohej nga Europa League me një klasifikim më të favorshëm në Grupin B dhe me më shumë para të inkasuara.