Analiza/ Profil i ulët i arbitrave, mbijetesa do të kthehet në kampionat më vete

Në fund të vitit kalendarik 2017, “Vipsport.al” ka nisur një forum me gazetarët e mirënjohur sportiv, duke marrë opinionin e tyre, si njerëzit që e prekin çdo ditë problematikën, suksesin apo ecurinë e futbollit.Gazetari i  “Supersport”, Ylli Aga ka analizuar pikët më të rëndësishme:

Superiorja deri në këtë fazë
“Kampionati vijoi në pjesën e parë të sezonit trendin konsolidues të profilit të tij. Rivaliteti, pavarësisht shkëputjes së Skënderbeut dhe veçimit te Lushnjës në fund, mbetet tipari më dallues. Motivuar kjo me formulën e garës me 10 ekipe që konfirmohet më e mira për futbollin tonë, pasi një vend i vogël si i yni e ka te pamundur për të pasur hapësirë për më tepër skuadra. Këtu veçoj gjithashtu frymën fair-play të të gjitha ndeshjeve dhe reflektimin e të gjitha klubeve, për të evituar dhunën dhe trukimet”.
Arbitrat dhe veçoria e këtij sezoni
“Në fakt, janë disa element që do të doja të veçoja. Sa i përket arbitrave, kemi parë një profil të ulët të skuadrës së tyre. Paraqitja e tyre nuk ka qenë në nivelin e duhur. Kemi parë gjithashtu dëshirën e të gjitha klubeve, për t’iu afruar profilit profesionist te tyre, konfirmuar me një kujdes të shtuar për t’i besuar dhe promovuar emrave të rinj. Infrastruktura do  ishte gjithashtu një element për t’u evidentuar. Por nga ana tjetër përveç profilit të arbitrave, më shqetëson ulja e numrit te tifozëve, si dhe mungesa e Tiranës duket se i ka bërë keq garës dhe ka zbehur kampionatin si brand”.
Pika kulminante deri në këtë moment
“Pika kulminante besoj se është profili i Skënderbeut. Kryesuesit sa i takon lojës, kanë krijuar një diferencë me të gjithë rivalët e saj dhe rezultatet në pjesën më të madhe, kanë ardhur si rrjedhojë e mënyrës së të luajturit. Në këtë pikë besoj se Skënderbeu është lokomotiva e futbollit tonë dhe falë dueleve me të, do të përfitojnë edhe klubet e tjera për të qenë më konkurrues, veçanërisht në Kupat e Europës”.
Zgjedhjet e reja në FSHF dhe ndikimi i tyre në garë
“Shqiptarët dhe zgjedhjet nuk kanë patur asnjëherë një raport të mirë. Për këtë mjafton të kujtojmë polemikat për çdo proces zgjedhor, qofshin ato te përgjithshme, lokale, në parti, në universitete apo dhe Federata të ndryshme. Në këtë kuptim edhe futbolli e ka të vështirë të jetë i imunizuar nga problematikat. Gjithsesi kam besim se do kemi një proces normal, ku çdo kandidature do ta nderonte garën. Natyrshëm Duka do të jetë i favorizuar nga bilanci i mandatit të fundit, me pjesëmarrjen e Kombëtares në Europian, të një ekipi si Skënderbeu dy herë në grupet e Europa Ligë apo ndërtimin e tre stadiumeve të reja. Por ky bilanc mund të vihet ne dyshim nëse paraqitet një kandidat dhe një projekt ambicioz. Ndikimi i këtij procesi në garën sportive nuk do të ekzistojë, pasi logjikisht askush nuk dëshiron të marr kosto për zgjedhjet”.
Çfarë pritet nga pjesa e mbetur e kampionatit
“Ajo që pres është një garë e fortë. Skënderbeu me siguri nuk do te ketë një rrugëtim të lehtë, pasi do të përballet çdo javë me kundërshtarë që kanë nga një objektiv për të realizuar. Zona europiane është e pamundur për t’u deshifruar, pasi janë në garë skuadra nga vendi i 2 deri tek i 9. Sa për mbijetesën Lushnjës i duhet një mrekulli, ndërsa shoqëruesja e saj pritet te krijoj një kampionat më vete. Ajo që është e sigurt është se do të shohim një garë të fortë dhe uroj të dominoj fryma fair-play dhe të mungojnë ashtu si pjesën e parë të sezonit, dhuna dhe trukimet”, u shpreh Aga.

/Klaudio Ndreca- vipsport.al/