Analiza/ Nuk është rastësi ndëshkimi i ekipeve të njëjta, Superiorja çështje e mbyllur

Në fund të vitit kalendarik 2017, “Vipsport.al” ka nisur një forum me gazetarët e mirënjohur sportiv, duke marrë opinionin e tyre, si njerëzit që e prekin çdo ditë problematikën, suksesin apo ecurinë e futbollit.

Kryeredaktori i  “Panorama Sport”, Jetmir Halilaj ka analizuar pikët më të rëndësishme:

SUPERIORJA DERI NË KËTË FAZË
“Superiorja deri në këto momente më është dukur mjaft interesante, megjithëse prisja më shumë nga disa ekipe si Partizani edhe Kukësi. Gjithashtu prisja edhe më shumë rezistencë nga Lushnja, jo duke shkuar menjëherë në fundin e tabelës. Megjithatë në përgjigjësi është dukur një kampionat me mjaft interes”.
ÇFARË E NDRYSHON KËTË KAMPIONAT NGA TË TJERËT
“Në këtë kampionat ajo që vihet re është mungesa e Tiranës. Pasi edhe kur kryeqytetasit nuk janë në garë për titull, ata i japin të tjera nota Superiores. Ndryshon fakti që rikthehemi në një kampionat më një kryesues shumë të shkëputur, si Skënderbeu i para disa viteve dhe gjithashtu kemi edhedisa ekipe pretendente që mund të thuhet edhe si i kanë thënë lamtumirë titullit”.
NDIKIMI I ARBITRAVE NË KAMPIONAT
“Mund të them se për fatin e keq, arbitrat kanë ndikuar në garë. Ata janë bërë protagonistë më shumë se nga çfarë duhet sidomos me Luftëtarin dhe Flamurtarin. Nuk më duket edhe aq rastësi që ndëshkohen gjithmonë të njëjtat ekipe. Nuk mund të quhet kështu pasi situatat janë duke u përsëritur. Padyshim që arbitrat mund t’i quajmë si një nga hallkat më të dobëta të kampionatit”.
ZGJEDHJET E REJA NË FSHF DHE NDIKIMI NË GARË
“Në këtë moment e kam të vështirë të bëj një parashikim për garën sesi do të jetë, por mund të them sesi do të doja unë të ishte. Mendoj se këto zgjedhje mund të ndikojnë në garë, sidomos për ekipet që i kanë dalë në opozitë Federatës. Fillimisht do të doja të kishte garë, pasi herën e fundit nuk ishte një e tillë. Gjithashtu do të dëshiroja që për kandidatin që do të ishte përballë Dukës, të mos i fuste duart politika. Shpresoj që të mos ketë asnjë ndikim nga zgjedhjet për kreun apo fundin e renditjes, por e shoh shumë të vështirë”.
PJESA E MBETUR E KAMPIONATIT
“Në këtë pjesë të mbetur të kampionatit, duhet një balancim i Kukësit dhe Partizanit sa i përket rezultateve. Kjo vetëm për të forcuar pozitat e tyre, pasi gara për titull më duket e mbyllur. Shpresoj që vazhdimësia e Flamurtarit, Laçit apo edhe Luftëtari, të vazhdojnë në ritmin e ndeshjeve të fundit. Gjithashtu duhet një ngritje edhe nga ana e Teutës dhe Vllaznisë, por dëshiroj edhe disa surpriza nga ekipi i Lushnjës”.

/Klaudio Ndreca- vipsport.al/

more recommended stories