Analiza/ Superiorja po humbet tifozët, klubet dhe Federata nuk po marrin masat

Në fund të vitit kalendarik 2017, “Vipsport.al” ka nisur një forum me gazetarët e mirënjohur sportiv, duke marrë opinionin e tyre, si njerëzit që e prekin çdo ditë problematikën, suksesin apo ecurinë e futbollit.

Gazetari i “Proçesit Sportiv”, Glenti Nallbani ka analizuar pikët më të rëndësishme:

SUPERIORJA DERI TANI
“Ky kampionat nuk ka shumë ndryshime nga kampionatet e shkuara. Të vetmin ndryshim e përbën Skënderbeu, i cili është kthyer në një ekip pa rival në Superiore. Kjo më shumë sesa për shkak të forcës së këtij ekipi, ka ardhur nga gabimet e kundërshtarëve”.
PIKA KULMINANTE E SUPERIORES
“Për momentin Superiorja nuk e ka një pikë kulminante, është e vështirë të përcaktosh diçka të tillë. Megjithatë mendoj se në maj do e kemi një pikë të tillë”.
NDIKIMI I ARBITRAVE
“Ajo që më bën më shumë përshtypje nga e gjitha kjo, është që tifozët po largohen gjithmonë e më shumë nga stadiumet. Nuk shoh asnjë përpjekje nga klubet apo Federata për t’u ulur dhe për diskutuar se përse po ndodh kjo gjë, qoftë edhe një analizë për të gjetur shkaqet. Në njërën anë kemi FSHF-në që na informon se gara është e ndershme dhe nuk ka asnjë parregullsi në takimet e zhvilluara, sepse nuk ka raporte nga UEFA. Kjo do të thotë se shfaqja që po ofrohet në shumë stadiume nuk është në nivelin e duhur për të tërhequr tifozë. Pra kemi një futboll pak atraktiv”.
ZGJEDHJET E REJA TË FSHF-SË DHE SA PRITET TË NDIKOJË NË GARË
“Fillimisht nuk kemi ende një kandidat serioz përballë Armando Dukës. Së dyti, dëshira ime personale do të ishte që këtë herë të kishte një garë projektesh, por fatkeqësisht ambienti shqiptar i futbollit deri tani nuk po na ofron asnjë alternativë tjetër veç presidentit aktual. Pra mesa po shohim, shumica e klubeve janë të kënaqur me këtë sistem dhe me mënyrën si po ecin gjërat. Duke parë këtë situatë kandidatët e mundshëm mund të shfaqen nga fusha te tjera, si biznesi apo politika. Mungesa e një alternative tjetër serioze në këto zgjedhje do ishte një humbje e madhe për të gjithë”.
SI PRITET TË VAZHDOJË KAMPIONATI
“Deri në këto momente, Skënderbeu është duke kryesuar i qetë. Ajo që pres në pjesën e mbetur të kampionatit, është një rivalitet i fortë nga ana e Flamurtarit, Partizanit dhe Kukësit. Duhet të jetë kështu, pasi në të kundërt Superiorja do të humbiste shumë interes”, u shpreh Glenti Nallbani. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/