Analiza/ Nuk pres konkurrent përballë Dukës, në Superiore enigmë vetëm mbijetesa

Në fund të vitit kalendarik 2017, “Vipsport.al” ka nisur një forum me gazetarët e mirënjohur sportiv, duke marrë opinionin e tyre, si njerëzit që e prekin çdo ditë problematikën, suksesin apo ecurinë e futbollit.

Drejtuesja e emisionit  “Fair-Play”, Enkeleida Zeko ka analizuar pikët më të rëndësishme:

SUPERIORJA DERI NË KËTË FAZË
“Superiorja më është dukur shumë interesante për faktin se skuadra si Luftëtari apo Kamza kanë marrë rezultate “të papritura” duke e bërë garën edhe më të bukur. Janë pikërisht këto rezultate ato të cilat e komplikojnë çështjen e titullin ose hapin probleme për mbijetesën”.
ÇFARË E NDRYSHON KËTË KAMPIONAT NGA TË TJERËT
“Një ndryshim që vë re në këtë kampionat, është fakti që Skënderbeu ka një diferencë të dukshme nga rivalët. Tashmë nuk kemi një kampionat me një rivalitet të fortë, ku titulli diskutohet mes 2-3 ekipeve. Korçarët kanë një marsh më tepër dhe janë duke dominuar në këtë kampionat. Ndoshta mund t’i mungojë edhe ndeshja vendimtare mes Kukësit dhe Skënderbeut. Në vitin e kaluar vendosej gjithçka në një takim, por shpresoj të mos ndodh sërish kështu”.
NDIKIMI I ARBITRAVE NË KAMPIONAT
“Në titullin e kampionatit të kaluar arbitrat kanë ndikuar. Nuk dua të thellohem nëse e kanë bërë këtë me dashje ose jo, por ata po kthehen në faktor për garën. Nëse çdo javë dalin akuza të ndryshme ndaj gjykimit, atëherë do të thotë se një pjesë e fatit të garës është edhe në dorën e tyre”.
ZGJEDHJET E REJA NË FSHF DHE NDIKIMI NË GARË
“Zgjedhjet besoj se do të jenë 100% me karton jeshill. Nuk besoj se do të ketë një tjetër kandidaturë ndaj kreut të FSHF-së, Armando Dukës. E nëse kjo do të vërtetohet, atëherë asgjë nuk do të ndodh në garë. Pra me pak fjalë, asgjë e re nga vitet e shkuara”.
PJESA E MBETUR E KAMPIONATIT
“Në pjesën e mbetur të kampionatit për mua do të jetë një enigmë skuadra tjetër që do të zbres nga Superiorja. Të gjitha gjërat e tjera janë të njohura për kampionatin, nuk ka vend për shumë surpriza. Vetëm ajo që do të dëshiroja në këto ndeshje të mbetura, është që të ketë sa më shumë ndeshje të bukura”, u shpreh Enkeleida Zeko. /Klaudio Ndreca-vipsport.al/