Abazaj, refuzimi i Partizanit dhe supergoli: Më thanë ‘çfarë ke bërë o i çmendur’

Kristal Abazaj është një nga personazhet e momentit në kampionatin shqiptar dhe një nga talentet që po spikat më shumë në vitet e fundit në Superiore. Nëse nuk e besoni, shihni supergolin që shënoi këtë javë në kampionat ndaj Partizanit dhe do të kuptoni qartësisht aftësitë e lojtarit. Një gol i pabesueshëm, për të cilin edhe vetë shokët e skuadrës e kanë etiketuar të “çmendur” futbollistin e Luftëtarit.

“Sinqerisht nuk ëshët se më erdhi ndonjë gjë në mendje se as unë nuk po e merrja dot veten. Në atë moment, kur ishim me të gjithë çunat bashkë u thashë ‘pritni një herë të mbushem me frymë se mbarova’. Atyre nuk po i besohej, me thonin ‘çfarë ke bërë, o i çmendur’. Ku di unë…”, ishte ritregimi në “Zona Gol” i sulmuesit për ato momentet pas golit ku përshkoi gjithë fushën me top në këmbë para se ta dërgonte sferën në rrjetën e të kuqve.

“Gjatë gjithë javës ishim përgatitur shumë mirë, vinim pas një fitoreje në Kamëz që na kishte ngritur moralin sepse kishim zhvilluar shumë ndeshje të mira por nuk kishim arritur të merrnim rezultatet që dëshironim. Kishim arritur të krijonim shumë raste por nuk i realizonim, gjë që na ka penalizuar gjatë sezonit. Baza e ekipit është aty, edhe pse na kanë ikur lojtarë. Besoj se këtë vit nuk kemi pasur fatin me vete”, vijoi ai.

Suksesi erdhi ndaj Partizanit, një skuadre e cila e ka kërkuar në të kaluarën dhe mendohet se po e ndjek me interes edhe tani. Abazaj konfirmoi prapaskenat e bisedimeve të një viti më parë, por insiston se dëshira e tij, nëse largohet nga Luftëtari, është të provojë vetën jashtë Shqipërisë.

“Të jem realist nuk është momenti të flas tani për ofertat, se jam pjesë e Luftëtarit. Kisha një bisedë me presidentin dhe më tha ‘ka oferta për ty’. I thashë që të mbarojë një herë kampionati se jam pjesë e Luftëtarit dhe nuk mund të flas me ekipe të tjera pa mbaruar kampionati. Të shohim tani në janar se çfarë do të bëhet.

Kisha kontakte me Partizanin vjet, para se të ikja në Antalia me Luftëtarit, por i thashë se nuk dua të bëhem për momentin pjesë e tyre. Nuk është se ia mbylla derën por i thash që për moemntin jo. E ardhmja? Unë thjesht dua të dal jashtë, të provoj fuqitë e mia dhe të tregoj që mund të luaj jashtë Shqipërisë”, deklaroi Abazaj. /E.K./vipsport.al/