50-vjetori i ditës kur Shqipëria la jashtë Europianit Gjermaninë

17 dhjetor i vitit 1967 është një ditë që do të mbetet gjithmonë në mendjen e gjermanëve, pasi në atë ditë luhej ndeshja kualifikuese për në Europianin e vitit 1968 në Itali, kundër Shqipërisë.

Kuqezinjtë tanë ndodheshin në një grup me Gjermaninë dhe Jugosllavinë. Dy skuadrat e para i fituan ndeshjet kundër njëra-tjetrës në shtëpi, ndërkohë që sfidat me Shqipërinë do të ishin vendimtare për të kombëtaren që do të siguronte një biletë për në Europian. Gjermania mund të kualifikohej nëse fitonte 1-0,  teksa kishte një golaverazh më të mirë se Jugosllavia. Në fakt ndeshja përfundoi në barazim 0-0, dhe kjo ditë është e shënuar për futbollin shqiptar.

Në atë kohë vendi ynë ishte nën regjimin e Enver Hoxhës, teksa siç kujtojnë edhe mediat gjermane në një speciale të publikuar së fundmi në atë kohë në Shqipëri kishte vetëm dy telefona, njërin prej tyre e kishte vetë Hoxha.

“Kundër mbrojtjes së tyre nuk ishte e vështirë që të kalonim. Ata mbylleshin me 8 futbollistë në mbrojtje, ishte sikur po luaje kundër një muri gome”, tregon Wolfgang Overath.

Biografi Bernd-M. Beyer tregon në një speciale për “ZDF”: Kjo është hera e vetme që Gjermania nuk është kualifikuar në një turne të madh. Kjo ka ndodhur ndaj një kundërshtari si Shqipëria. Është e turpshme për një komb futbolli si Gjermania”.

Ish-mesfushori Günter Netzer nuk ka ngurruar që të japë mendimin e tij për atë që ndodhi në atë vit. “Ishte një fatkeqësi. Ne ishim një komb i madh në futboll, ndërkohë që Shqipëria ishte një vend i vogël, ishin shumë ‘xhuxha’ në futboll”.

“Dita më e zezë e karrierës sime. Një ndeshje dhe një rezultat mizor”, e ka cilësuar ish-trajneri në atë kohë Helmut Schön.

“Ishte si një udhëtim në hënë. Në qytet kishte vetëm biçikleta, nuk kishte makina. Hoteli ishte i shkretë, dhe kudo shihje vetëm biblën. Atje nuk kishte as mish, vetëm bukë dhe vezë nga një fabrikë veze”, tregon ish-mbrojtësi Willy Schulz.

Shqipëria ka lënë gjurmë të thella në histori në barazimin e vitit 1967, duke lënë jashtë Europianit një nga fuqitë më të mëdha të futbollit Botëror. Vërtetë në atë kohë mund të kemi qenë një vend i varfër, por Shqipëria ka treguar se di të jetë gjithmonë një komb “krenar”. /Rozalb Lika -vipsport.al/