Vllaznia reagon për dhunën në Shijak: FSHF të japë ndëshkimin e duhur!

Vllaznia ka reaguar pas incidenteve në Kategorinë e Parë, teksa skuadra e Vllaznisë B është bërë pre e sulmeve në fushën e lojës nga tifozët e skuadrës së Erzenit të Shijakut. Drejtuesit shkodranë me në krye trajnerin e ekipi të dytë, Kraja kanë treguar se futbollistët e tyre janë goditur nga lojtarët e Erzenit, por dhe nga tifozët.

Vllaznia para disa minutash ka dalë dhe me një deklaratë zyrtare për mediat.

DEKLARAT E PLOTË E SHKODRANËVE

“KF Vllaznia dënon ashpër sjelljen e drejtuesve, futbollistëve dhe tifozëve të ekipit të Erzenit të Shijakut pas përfundimit të ndeshjes së luajtur pasditen e sotme ndaj ekipit tonë B. Goditja e futbollistëve tanë, është një gjest shumë i rëndë që duhet të marrë ndëshkimin e duhur. Lojtarët tanë nuk kanë bërë asgjë tjetër por kanë luajtur futboll dhe kanë fituar.

Por nëse kjo nuk i ka pëlqyer kundërshtarit, nuk është faji i tyre. Nëse “Vllaznia B” ka fituar në këtë ndeshje, ka bërë vetëm detyrën sepse është ndërtuar për të qenë i tillë. Për të është investuar jo pak. Ky ekip zhvillon stërvitje të rregullt çdo ditë dhe kuptohet që objektivi i saj është për t’u paraqitur sa më mirë në çdo ndeshje. Kështu ka bërë edhe ditën e sotme dhe për fat të keq, një gjë e tillë nuk është respektuar siç duhet nga kundërshtari.

Dhuna e ushtruar ndaj pjesëtarëve të ekipit tonë është e papranueshme dhe për këtë, KF Vllaznia kërkon që organet përkatëse të marrin masat e duhura ndëshkimore ndaj fajtorëve. Përveç dhunës së ushtruar nga futbollistët dhe drejtuesit, futja e tifozëve në ambientet në fushë është një gjest shumë i rëndë dhe për këtë arsye, FSHF duhet të japë ndëshkimin e duhur. Futbolli është dhe duhet të jetë “fair-play” por sot në Shijak ka ndodhur ndryshe”.