Ylli Toshiç zhgënjen mediat serbe: Në Shqipëri e ndjemë veten të sigurt

Zoran Toshiç ka thënë fjalët më të mira për vizitën e tij të dytë në Shqipëri. Futbollisti i cili kishte qenë në vendin tonë edhe me kombëtaren serbe, u kthye në “Elbasan Arena” me Partizanin e Beogradit për ndeshjen e Ligës së Europës dhe komenti i tij për mediat në vendlindje sa i përket kësaj vizite ka qenë mëse pozitiv.

“A e ndjetë frikën në Elbasan, ku ju vëzhgonin me snajperë?”, ishte pyetja ngacmuese e gazetarëve serbë për Toshiç. “Në Shqipëri ne u ndjemë tërësisht të sigurt. Në asnjë moment ne nuk e ndjemë se shoqëroheshim nga policia. Ishte një situatë normale dhe një ndeshje mjaft paqësore”, ishin fjalët e Toshiç për eksperiencën e tij të dytë në vendin tonë duke mos iu përgjigjur provokimit të bashkëkombësve të tij.

Sa i përket ndeshjes kundër Skënderbeut, ai ka vlerësuar fazën mbrojtëse të skuadrës serbe që nuk lejoi sulmin e ekipit korçar të shënonte, ndërsa mendon se në ndeshjen e kthimit, Partizani do të fitojë në Beograd.

“Ndeshja e parë ishte e vështirë dhe shumë intensive. Mendoj se vija jonë e mbrojtjes ishte shumë e mirë, lojtarët ishin fantastikë dhe duhet t’i falënderoj. Ne bëmë të mundur që skuadra vendase të mos krijonte raste të rrezikshme, një segment loje me të cilin mund të kënaqemi.

Në ndeshjet e radhës, që i luajmë të dyja në fushën tonë, mund të fitojmë, edhe përballë Skënderbeut. Shpresojmë që tifozët të mbushin stadiumin dhe të na ndihmojnë të arrijmë fitoren”, tha Toshiç. /vipsport.al/