Tifozët e Romës e quajnë “majmun me ngjyrë”. UEFA pritet të marrë masa

UEFA ka akuzuar Romën për kore raciste të drejtuara ndaj ish-lojtarit të tyre Antonio Rudiger gjatë ndeshjes së të mërkurës në Champions League kundër Chelsea.

Chelsea nuk ka ngritur akuza, por UEFA u njoftua nga disa komente në rrjetet sociale dhe klubi londinez ofron ndihmën e tij nëse është e nevojshme.

Rudiger u fut në fushën e lojës si zëvëndësues në minutën e 77. 24-vjeçari gjerman u largua nga Roma në merkaton e verës për t’iu bashkuar Chelseat në korrik, duke shprehur që më parë stresin që racizmi në klubin romak po i shkaktonte.

Një deklaratë nga trupi gjykues për futbollin europian thotë: “Procedime disiplinore janë hapur si rrjedhojë e ndeshjes për fazën e grupeve të Champions League mes Romës dhe Chelsea (3-3), e luajtur më 18 tetor në Angli.” UEFA thotë që akuza është “sjellje raciste (tifozët e thërrisnin Rudiger ‘majmun me ngjyrë’ dhe imitonin pasthirrma të kafshës në fjalë)”, duke shtuar: “Kjo çështje do të shqyrtohet nga trupi gjykues për kontrollin, etikën dhe disiplinën e UEFA më 16 nëntor.”

Para largimit të Rudiger nga Roma, për një shumë prej 29 milionë paund, mbrojtësi ishte shprehur kështu për një revistë gjermane: “Racizmi është një problem serioz këtu. Incidente si rasti i Mehdi Benatia te Juventus dhe rasti im ndodhin shumë shpesh në këtë vend dhe ja pse duhen marrë masa të menjëhershme.