Rrëfimi ndryshe i Panuccit, tregon sekretet e jetës së tij private

Trajneri i kombëtares sonë, Christian Panucci ka rrëfyer disa nga sekretet e jetës së tij jashtë fushave të lojës. Strategu italian i ardhur gjatë kësaj vere në krye të kuqezinjtë ka dhënë një intervistë për emisionin “Jo vetëm modë”, ai flet edhe për marrëdhënien me Samantën.

Panucci tha se pasioni për futbollin ka nisur që herët pasi babai i tij ka qenë futbollist dhe topi ka qenë prezent në shtëpinë e tyre.

“Babai im ka qenë futbollist ka luajtur në kategorinë e tretë dhe kështu që i vogël topi ka qenë prezent në shtëpi. Pasionin ma ka pasuar im atë dhe që fëmijë doja të luaja futboll. Babai im ishte ai që më afroi me futbollin, ishte një shembull për mua pasi ka qenë i zoti si trajner për fëmijët.

Ai ka patur ndikim të rëndësishëm në adoleshencë. Unë jam përkushtuar gjithnjë dhe që 15 vjeç kam shkuar në Genova sepse doja të bëhesha futbollist, kam qenë shumë serioz në këtë këndvështrim.

Do kisha dashur të punoja në vende turistike sepse më ka pëlqyer të udhëtoj, por më pas fati deshi që të bëhesha futbollist. Kam udhëtuar shumë si futbollist dhe më ka dhuruar shumë bagazh si eksperiencë”.

Jeta private e Christian Panucci

“Unë kam qenë i martuar për 9 vjet me atë që sot është mamaja e djalit tim, ishim shumë mirë, por jeta vazhdoi dhe tani kam një raport fantastik me të dhe është mikja ime më e mirë. Femrat iu pëlqejnë të gjithëve, edhe mua si çdo mashkull tjetër.

Djali im luan futboll pranë Romës, ka luajtur basketboll dhe tani futboll, por më e rëndësishme është që ai të argëtohet dhe të bëjë atë që e bën të lumtur. Unë kërkoj vetëm lumturinë e djalit tim, nëse do ai mund të bëhet picier, por unë dua të jetë i lumtur. Unë shikoj djalin tim gjatë trajnimit, por nuk them asnjë fjalë sepse shpesh baballarët janë shkatërrimi i fëmijëve të tyre, ai ka një trajner dhe duhet të flasë me trajnerin e tij, më pas nëse më kërkon unë jam në dispozicion”, shtoi trajneri.

Strategu italian foli edhe për marrëdhënien e tij me Samantën.

“Samantën e kam njohur 6 vite më parë kur isha pjesë e kërcimit dhe e kam ritakuar një vit më parë kur trajnoja Ternanën dhe që aty nisi historia jonë. Një histori shumë e thjeshtë, dy njerëz që kanë nga një fëmijë, nga një profesion të vetin dhe janë mirë bashkë. Ajo ka jetën e saj dhe unë kam timen dhe ka shumë respekt për një marrëdhënie të tillë. Ne jetojmë me shumë liri, jam shumë i rezervuar për jetën time private, nuk i vë asnjë titull sepse është normale. Ajo është mama dhe unë jam baba, fëmijët tanë shkojnë mirë kur janë bashkë, sepse edhe Samanta ka një djalë 16 vjeç, në këtë këndvështrim nuk kemi asnjë lloj problem. Kur je gati 45 vjeç kërkon histori të qeta dhe hapësirë vetjake sepse nëse nuk është kështu ke nevojë të rrish vetëm. Shihemi dy ditë apo shtatë dhe nuk ndryshon asgjë”, tha Panucci.

Këshillat e De Biasit

“Ftesën për të qenë pjesë e kombëtares e pranova menjëherë. Shqipëria ka Federatë prestigjioze dhe jam i lumtur për zgjedhjen që kam bërë dhe jam i bindur se mund të bëhet një punë e mrekullueshme. Shpresoj t’jua shpërblej duke iu dhuruar europianin. De Biasi foli pozitivisht për mua dhe për këtë duhet ta falenderoj, i kërkova këshilla sepse e njihte Shqipërinë prej 6 vitesh. Ai ka qenë i rëndësishëm. Më ka dhënë shumë këshilla, por mbëten shumë private. Më ka thënë se do të jetoj një eksperiencë shumë të bukur. Shpresoj që skuadra ime të dalë dhe të luajë në liri të plotë. E vetmja gjë që s’më pëlqen është trafiku pasi rrezikoj të humb avionë.

Unë nuk kam bërë kurrë jetë nate, kam bërë jetë të rregullt. Dal për darkë, kam pasion të luaj golf. Për jetë nate kam dalë kur isha në Miami ka qenë në korrik para se të firmosja me Shqipërinë. Unë kur vi këtu punoj gjithë ditën, por do të shkoj në jug të Shqipërisë, më kanë thënë se është bukur. Unë kam përgjegjësi të madhe dhe do të jap maksimumin për skuadrën”, u shpreh Panucci për “Jo vetëm modë”.