Real Madrid, gati të thyejë rekordin e transferimeve për Mauro Ikardin

Argjentinasi Mauro Ikardi është kthyer në objektivin kryesor të merkatos së verës së ardhshme për skuadrën e Real Madrid. Sipas mediave italiane, Zinedin Zidan ka piketuar futbollistin e Interit si emrin që do të dëshironte për repartin e avancuar që nga sezoni i ardhshëm dhe në klubin madrilen janë gati të plotësojnë këtë dëshirë të tij.

Zidan fillimisht kishte kërkuar Herri Kejn, por Totenhem ka bërë të ditur se për momentin nuk ka asnjë lloj nguti që të shesë sulmuesin anglez, pavarësisht ndonjë oferte që mund të kalojë 120 milionë eurot.

Kësisoj, spanjollët kanë kthyer sytë nga Italia ku transferimi i Ikardit është mëse i realizueshëm edhe nëse zikaltërit nuk e dëshirojnë një gjë të tillë. Lojtari ka një klauzolë largimi prej 110 milionë eurosh në kontratën e tij, shifër që Reali mund ta paguajë pa probleme duke thyer rekordin e transferimeve të klubit që mbahet nga firma me Garet Bejl. Edhe rroga prej 5 milionë eurosh në sezon që ai ka te zikaltërit nuk shqetëson aspak Realin, i cili pritet ta rritë këtë shifër në mënyrë të ndjeshme, për të bindur Ikardin që të transferohet në Madrid. /vipsport.al/