Përgjimet e futbollit

Çështja e ditës dhe padikuskutim “seriali” më i ndjekur në Shqipëri për momentin lidhet me fatin e ish- Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. A ka prova për ta arrestuar? Sa i lidhur ishte me të arrestuarit, etj. Të gjithë komentojnë sipas ideve apo ideologjive të tyre. Në parim, kjo nuk lidh asgjë me futbollin, po aq sa e lidh shumë.

Kampionati shqiptar në vitet e fundit është klasifikuar shpesh herë si më i korruptuari në Europë. Dhe kjo, nuk ka ndodhur nga dashakeqësia e ndonjë aktori të sportit vendës, por nga media dhe organizata të pavarura ndërkombëtare. Fatkeqësisht është punuar pak për të pastruar këtë epitet, për të mos thënë aspak. Prokuroria nuk ka tentuar pothuajse fare të merret me sportin më popullor në Shqipëri dhe mbi të gjitha, me një sport që lidh më shumë njerëz, se sa të gjitha partitë politike bashkë.

Prokuroria, por edhe të gjithë aktorët e tjerë që lidhen me sportin, e kanë pranuar në heshtje abuzimin, për aq kohë sa nuk kanë vepruar asnjëherë për “kontrabandën” njerëzore që bëhet në mes të ditës, në stadiume të mbushura me dëshmitarë.

Askush, për arsye që nuk di dhe nuk duhet aluduar, nuk e ka prekur institucionin e futbollit, për ta hetuar, edhe pse ka pasur akuza publike, mjaft të rënda, duke filluar nga presidentë, te trajnerë apo futbollistë. Dhe këta nuk janë tifozë të thjeshtë, por dëshmitarët më të mirë për të zbuluar vërtetësinë e një sporti që po humbet vlerat.

Përgjimet e futbollit do ishin, janë dhe do jenë shpëtimi i të ardhmes së fëmijëve, lirimi nga zinxhirët i “skllavërimit” të futbollistëve dhe evitimi i financimeve ilegale që mund të fitojnë presidentë klubesh, trajnerë, lojtarët apo zyrtarë të FSHF-së, të cilat sërish në fund përfundojnë në fushata politike. Kush për veten, kush për vëllain, e kush për një post…

Nëse Prokuroria do kërkojë të përgjojë zyrtarët e rëndësishëm, duke pasur indicie ose dyshim të arsyeshëm qw lind për shkak të akuzave publike që bëjnë vetë këta zyrtarë, mbase do kuptojë, ose mbase do rrëzojë edhe dyshimet e vazhdueshme, për t’i dhënë përgjigje dilemave se:

–    Si dhe nga kush i marrin (nëse) urdhërat arbitrat për të favorizuar apo dënuar një ekip gjatë ndeshjeve?

–    Nëse vërtetohet që marrin urdhëra, si (nëse) përfshihen zyrtarë të lartë të FSHF-së me drejtues te Komisioneve arbitrare?

–    A ka presidentë që flasin me të tretë dhe nëpërmjet tyre tentojnë ose korruptojnë arbitra dhe lojtarë të ekipeve kundërshtare?

–    A ka arbitra që kontaktojnë vetë me “sekserë” klubesh për rryshfete?

–    A ka paracaktime të fateve të kampionateve dhe a ka pazare monetare?

–    A bëhet evazion fiskal midis Federatës dhe ndonjë klubi që i ka llogaritë bankare të bllokuara? A u jepen para në dorë?

–    A ka pazare mes sekserësh pranë Federatës dhe baballarëve të lojtarëve ose menaxherëve të tyre, për një grumbullim me Kombëtaret e moshave?

E sa shumë pikëpyetje që do merrnin përgjigje nga përgjimet e futbollit. Aty ku ndihen të paprekur, mbase më shumë se sa ish ministri i Brendshëm. Aty ku nga përgjimet nuk do dalin përmendje emrash për byzylykë me vlerë prej 2000 eurosh, por mbase do ketë edhe më shumë përfitime apo akuza mw tw rwnda. Aty, ku përmendjet e emrave, mund të jenë prova më të forta për arrestime, se sa ato që kemi dëgjuar së fundmi për Saimir Tahirin. Dhe në futboll nuk flitet për të kaluar kufirin me thasë hashashi, por për të manipuluar shpresën dhe të ardhmen e rinisë…

more recommended stories