Miqësoret e Kombëtares në nëntor, FSHF piketon emrin e dytë pas Norvegjisë

FSHF vazhdon të kontaktojë homologet në Europë për të mbyllur sa më parë çështjen e zhvillimit të ndeshjeve miqësore në muajin nëntor, për t’i dhënë mundësinë trajnerit Kristian Panuçi që të testojë sa më shumë lojtarë muajin e ardhshëm.

Brenda pak ditësh pritet të zyrtarizohet përfundimisht emri i Norvegjisë si një prej kundërshtarëve, ndërsa palët janë ende në negociata mbi vendin ku do të zhvillohet kjo ndeshje. Por paralelisht, po flitet edhe me përfaqësuese të tjera sa i përket takimit të dytë.

Burime të “vipsport.al” pranë FSHF kanë bërë të ditur se emri tjetër me të cilin është negociuar së fundmi është ai i Sllovakisë. Përfaqësuesja në fjalë mbylli kualifikueset e Botërorit me një zhgënjim shumë të madh, pasi përfundoi në vendin e dytë në grup, por nuk arriti të siguronte play-off, pasi ishte e dyta më e keqe në 9 grupet e zonës së UEFA-s.

Palët janë parimisht dakord që kjo ndeshje të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa pengesa e vetme është Ukraina e Shevçenkos, e cila kohët e fundit i ka bërë një ofertë të ngjashme për miqësore përfaqësueses së Hamshik&Co.

Nëse do të finalizohej marrëveshja në fjalë, kjo do të ishte hera e parë që Shqipëria do të ndeshej me Sllovakinë me përfaqësueset A, ndërsa e ka bërë disa herë një gjë të tillë me Kombëtaret e moshave. /vipsport.al/