Lika: I thash Bakajt që ishte mungesë “FairPlay”, por ai nuk e pranoi

Trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika ka debutuar me një humbje në krye të bankinës së gjirokastritëve. Strategu i njohur në intervistën për “Super Sport” pas ndeshjes ka treguar se ka pasur një bisedë me Bakajn pas golit të parë.

“Futbolli është me gola nuk është me raste. Meritat në këtë ndeshje i takojnë kundërshtarit. Goli i parë i Bakajt? Nuk jam shumë i qartë për rregulloren. Në momentin e vërshëllimës, ishte e vështirë për të komunikuar. I thash Bakajt që ishte mungesë “FairPlay”, por ai nuk e pranoi.

Ndërrimi i trajnerëve ndikon përgjithësisht pozitivisht, por sot ndikoi negativisht. Skuadra ka probleme në aspektin mbrojtës, sepse kundërshtarët shpesh na vinin në vështirësi. Veprimet individuale duhet të jenë në shërbim të skuadrës. Në momentet kur humbisnim topin, ekipi vuante shumë.

Në sulm luajmë mirë, por shpërdorojmë shumë para portës. Nuk i kemi përfunduar me gol aksionet. Do të ishte e rëndësishme që të paktën të shënonim një gol. Kam gjetur një ekip të përgatitur, por problemi më i madh është psikologjik”, tha Lika pas ndeshjes. /vipsport.al/