Kapiten Karabeci: Tirana duhet të ‘vrasë’ çdo ndeshje, kundërshtarët të tremben…

Tirana do të luajë nesër kundër Turbinës, ndeshjen e vlefshme për javën e 5-të të Kategorisë së Parë.

Bardheblutë do të kërkojnë fitoren e 5-të radhazi në kampionat, ndërsa kapiteni i 24 herë kampionëve të vendit, Erando Karabeci ka deklaruar se Tirana kërkon të “vrasë” çdo ndeshje.

Në konferencën e sotme për shtyp, Karabeci është shprehur se bardheblutë duhet të mbajnë sa më gjatë kolonën zero të pësimit të golave, pasi një gjë e tillë rrit besimin e skuadrës dhe tremb kundërshtarët.

“Kemi bërë detyrën në këto 4 javë, ndaj tani nuk na mbetet tjetër gjë veçse të ruajmë ritmin. Nga çdo ndeshje duhet marrë tri pikë dhe prioritet eshte që t’i ‘vrasim’ ndeshjet.

Edhe pse jemi në Kategorinë e Parë, mendoj se me grupin aktual do ishim të denjë edhe për Superioren. Këtë e kemi treguar, por rëndësi ka që të jemi me këmbë në tokë, pasi në fund të fundit nuk kemi bërë asgjë.

Duhet të fitojmë që të gjitha ndeshjet dhe duhet të mos kemi asnjë gabim gjatë rrugës. Dhe kur them gabim, përfshij edhe barazimin. S’ka rëndësi ku luajmë, brenda apo jashtë fushe, qëllimi nuk ndryshon.

Mendoj se po sillemi si Tirona. Numrat janë shumë të mirë, pasi nuk kemi pësuar gol dhe duhet të vazhdojme ta mbajme 0 këtë kolonë, pasi është shumë e rëndësishme.

Kur thashe t’i ‘vrasim’ ndeshjet e kisha edhe për këtë pjesë, pasi duhet t’i fitojmë sa më thellë të jetë e mundshme.

Ky bilanc rrit besimin dhe ndikon në moralin e ekipit dhe normalisht kundërshtarët i demoralizon, pasi kur të ndeshen me ne do e kenë të qartë se me kë kanë të bëjnë.

Fakti që shënojnë të gjithë është meritë e punës dhe trajnerit, pasi punon shumë për gjetjen e golit. Ngjitja është një mision i detyrueshëm.

E kemi nisur mirë, por tashmë duhet të vazhdojmë me këtë ritëm. Një bonus që kemi pasur në këtë fillm sezoni është koha dhe kjo ka bërë që fushat të jenë në kushte të mira.

I druhem vetëm pjesës kur do fillojnë shirat, ndoshta mund të kemi problem, pasi jemi një ekip luajmë me topin në këmbë.

Gjithsesi, ne nuk kemi justifikim. Për çdo ekip në Botë, përkrahja e tifozëve është një bonus dhe sidomos për Tiranën. Është gjë shumë e mirë që t’i kemi në krah në çdo ndeshje”, tha kapiteni i Tiranës, Erando Karabeci në konferencën e sotme për shtyp.