Intervista/Rezi karikon Kamzën: Kemi ekip me kualitet, marrim pikë edhe në Vlorë

Drejtuesit, stafi teknik, futbollistët dhe tifozët e Kamzës ndihen shumë mirë, kur e shohin skuadrën e tyre në vend të katërt të renditjes së Superiores. Presidenti Naim Qarri kishte të drejtë kur nuk shqetësohej pas barazimeve të javëve të para të kampionatit, teksa  thoshte se ishte shumë i kënaqur me të tijtë.

Fitoret në Gjirokastër me Luftëtarin dhe Vllazninë në Kamzë, kanë bërë që kjo skuadër të ngjitet në kuotën e 9 pikë, po aq sa ka edhe Flamurtari i vendit të tretë, kundërshtari i javës së 7-të.

Ermir Rezi luan sezonin e dytë me Kamzën. Ai dha kontributin e tij për gjitjen e saj në kampionatin elitar të futbollit shqiptar. Më parë ka luajtur për Teutën, Dinamon, Elbasanin dhe Erzenin. Në një intervistë për “VIP SPORT”, 23-vjeçari pohon se kjo ecuri e mirë ishte deri diku e pritshme, duke marrë në konsideratë merkaton që ka bërë Kamza. Ai shprehet se skuadra është në gjendje të marrë pikë në çdo fushë dhe ndaj çdo kundërshtari.

Rezi ka shënuar një gol në këto 6 javë, atë të barazimit me Skënderbeun. Synon t’i shërbejë sa më shumë Kamzë në vazhdim, pse jo që nga ndeshja e nesërme në Vlorë, ku beson shumë se do të ketë një tjetër rezultat pozitiv.

 

Ermir, pas 6 javëve të para të kampionatit e shihni veten në vend të katërt. E kishit parashikuar këtë start kaq pozitiv?

Deri diku po, sepse Kamza ka bërë një merkato goxha të mirë, duke afruar në skuadër shumë lojtarë cilësorë. E prisnim të kishim një ecuri të mirë në kampionatin e Superiores, pasi kemi marrë, siç e thashë, lojtarë me emër dhe përvojë.

Eshtë shpejt për të gjykuar që tani, por a do të arrijë Kamza ta ruajë këtë ritëm në vazhdim?

Mendoj se e ka kualitetin për të qenë aty ku është sot. Gjithçka e ka merituar deri tani, por e rëndësishme është që t’i marrim ndeshjet me radhë, një e nga një. Deke qenë të përqendruar te ndeshja e radhës, do të marrim rezulte pozitive, ashtu si deri tani.

Në aspektin personal, sa i kënaqur jeni?

Jam shumë i kënaqur, që po jap kontributin tim te Kamza, duke e ndihmuar skuadrën sadopak për të marrë pikët dhe për të qenë brenda objektivit të saj sezonal.

 

Ndeshja e radhës për ju është ajo me Flamurtarin në Vlorë. Si e shihni këtë transfertë?

Patjetër që do të shkojmë në Vlorë për të bërë lojën tonë dhe për të marrë pikë. Nuk do të jemi kalimtarë jo vetëm në ndeshjen me Flamurtarin, por në asnjë ndeshje tjetër. Kam besim se mund të bëjmë mirë edhe në këtë transfertë, që do të jetë shumë e vështirë.

Çfarë mund të bëjë Kamza këtë sezon, deri ku mund të shkojë?

E thashë që në fillim se duhet të shohim ndeshje pas ndeshjeje dhe ndohta në janar do të japim një gjykim më të saktë në këtë drejtim, duke parë rezultatet që do të kemi arritur. Eshtë ende shumë shpejt, por premisat janë të mira.

Tifozët ndërkohë nuk janë në atë nivelin e duhur, pasi vazhdojnë të mungojnë në stadium…

Po, është e vërtetë dhe dua t’i ftoj të na mbështesin më shumë, të jenë sa më të shumtë në numër në stadium për të bërë vërtet lojtarin e 12-të të Kamzës.