Hoxha luan në Shkodër, formacioni i Partizanit ndryshon ndaj Vllaznisë

Nuk ka probleme aktivizimi për portierin e Partizanit Alban Hoxha, i cili kishte një shqetësim në gishtat e dorës së majtë. Portieri është plotësisht i gatshëm për transfertën me Vllazninë dhe trajneri Iuliano është i qetë në këtë drejtim.

Megjithatë, formacioni i të kuqve do të pësojë detyrimisht ndryshime, pas dëmtimit të sulmuesit Xhavahir Sukaj. Në vend të tij pritet të aktivizohet Basrak, ndërkohë që alternativa janë Xhixhua dhe Bardhi. Trashi dhe Herrera do të luajnë në krahët e sulmit.

Në mesfushë pritet që veç Bathës dhe hungarezit Adorjan të jetë edhe Vila. Mbrojtja do të ketë sërish Prognin në të djathtë, Ibrahimin në qendër dhe njërin mes Malotës dhe Atandës përkrah tij. Edhe për krahun e majtë ka balotazh mes Kalarit dhe Kotobellit.