EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Merveil: Nga lotët e tifozëve të Tiranës te ëndrrat përballë Ronaldos dhe Messit

Merveil Ndockyt ishte shitja rekord për Tiranën në merkaton e verës. Mesfushori 19-vjeçar nga Kongo u ble nga skuadra spanjolle, Getafe për 600 mijë euro.

Një shumë e majme, e cila shpërbleu besimin e klubit bardheblu për Merveil, ndërsa vetë futbollisti, nga ana tjetër fitoi direkt zemrat e tifozëve të Tiranës me paraqitjet e tij.

Për momentin, mesfushori i talentuar ende nuk ka debutuar me ekipin e parë të Getafe-s, pasi siç shpjegon vetë 19-vjeçari në një intervistë për “VIP Sport”, ai shkoi me vonesë në skuadër pas shitjes nga Tirana.

I kontaktuar nga redaksia “VIP Sport”, Merveil tregon edhe për emocionet që ka përjetuar te 24 herë kampionët e vendit, jo vetëm momentet e lumtura, por edhe ato të trishtueshme, siç ishte çasti i vështirë kur Tirana nuk e shmangu dot rënien nga Superliga.

Mesfushori nga Kongo gjithashtu nuk harron të tregojë dashurinë për tifozët bardheblu dhe falënderimin për një prej njerëzve që e ka shoqëruar Merveil së bashku me Moise-n gjatë gjithë kohë në Tiranë dhe që i ndihmoi të përshtateshin me ambientin dhe gjuhën shqipe.

-Si po ndiheni në Spanjë? Jeni përshtatur me ekipin e ri?

-Ndihem shumë mirë në Spanjë. Më kanë mirëpritur të gjithë, që nga drejtuesit e klubit, stafi dhe shokët e skuadrës. Jam shumë i lumtur.

-Për momentin po luani me Getafe B. Kur do debutoni me ekipin e parë të Getafe-s?

-Për momentin do të luaj me ekipin B të Getafes, sepse kam ardhur shumë vonë dhe gjithçka është mbyllur. E rëndësishme është që të vazhdoj të stërvitem dhe të punoj përditë, sepse frytet e durimit të shijojnë shumë më pas.

-Mendoni se do lini gjurmë edhe te Getafe, ashtu siç latë te Tirana?

-Si çdo gjë që ka gjithmonë një fillim, besoj se edhe te Getafe mund të lë gjurmë si te Tirana. Do përpiqem!

-Si do e përshkruanit aventurën tuaj te Tirana?

-Ishte një periudhë shumë pozitive. Shijova çdo ditë qëndrimi, sepse isha pjesë e një ekipi që më shumë se kaq, ishte si një familje e madhe, një skuadër e mrekullueshme.

-Sezonin e shkuar nuk arritët që të mbijetonit në Superligë me Tiranën. Si jeni ndierë pasi skuadra ra në një kategori më poshtë?

-Për mua ky ishte momenti më i vështirë që kam pasur në karrierën time. Ishte e trishtë, sepse të gjithë në qytet që ishin tifozë me Tiranën përjetuan këtë emocion negativ dhe kam parë edhe lot në sytë e tyre.

-Ju mungon diçka nga Tirana, apo nga Shqipëria?

-Më mungojnë shumë gjëra nga Shqipëria, si muzika dhe respekti që njerëzit aty tregojnë për ne si të huaj që ishim. Më mungojnë ish-shokët e skuadrës së Tiranës, por sidomos një person që më mësoi gjuhën shqipe, Xhela, i cili ishte si babai i dytë për ne.

-Keni ndonjë mesazh për tifozët e Tiranës?

-Një falënderim të madh, sepse më kanë përkrahur gjatë gjithë kohës. I kam shumë për zemër. Tirana ishte një projekt i madh për jetën time, ndaj gjithmonë do them: “Força Tirona”.

-Cilat janë synimet tuaja në të ardhmen?

-Të gjithë kërkojnë të përmirësohen dhe të ecin përpara në karrierën e tyre. Dua të fitoj shumë tituj të tjerë dhe të kem sukses në sfidën e re, pikërisht te Getafe.

-Keni menduar për përballjet me Messin apo Ronaldon në momentin që do jeni përballë tyre?

-Do të jetë ai moment kur mendon se tashmë ke realizuar një ëndërr që e ke pasur që fëmijë. /VIPSPORT.AL/ Andi TANKU