Udhë të mbarë… edhe pa Tiranën!

 

Sot starton Superliga. Për herë të parë, që kur loja e futbollit në këtë vend nisi të luhej në bazë rregullash e formati gare të organizuar nga Federata e Topkambës, Tirana nuk merr pjesë.

Nuk është se pritej gjë tjetër. Formalisht, kur e mbyll një sezon në vend të fundit në kategorinë ku militon, sezonin pasardhës do të jesh një kategori më poshtë. Pra nuk ke si pret që të jesh sërish aty nga ku të kanë “përzënë”. Me ceremoni, madje. Me një rekord të veçantë: Tirana ishte i vetmi ekip shqiptar –  në klub duhet të kenë filluar të hidhen piketat e kremtimit të 100 vjetorit të themelimit –  që nuk e kish provuar zbritjen.

Për mirë apo për keq – këtë ec e ndaje – ato që kanë ndodhur këtë vit në klubin bardheblu janë në kufinj paradoksi. Ndërsa skuadra, në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, në kampionat rrëshqiste gjithnjë e më poshtë (bëj hesap, nuk ishte në gjendje të mundtte as Korabin, që e luante garën për… respekt), në Kupë bënte veç përpjetë. Dhe po për paradoks, pak ditë pas 0-0-s rrëzuese në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë, ku u desh të shqiptonte lamtumirën e hidhur, triumfoi në finalen e Kupës. Edhe nëse pranohet versioni se te trofeu “i argjendtë” arriti ngaqë bëri pazare me “të artin”, brenda gati 100 ditësh, po ndaj atyre për të cilët u anatemua, fitoi Superkupën. Në një finale, të cilën e dominoi nga fillimi deri në fund ndaj kampionëve në fuqi.

Edhë në mos bindshin dy trofe, vera ka qenë tepër pjellore për bardheblutë. Në klubin që, shpallur publikisht, ka borxhe ende të konsiderueshme, arkëtimet kanë qenë marramendëse. Në përfundim të tregut veror, nga llogaritë e bëra konstatohet lehtësisht se Tirana ka arkëtuar gati gjysmën e “xhiros”, 840  mijë euro, së të gjithë Superligës! Shenjë kjo mirëfilli se gjërat kanë nisur të ndryshojnë për nga e mbara.

Sot starton Superliga. “Udhë të mbarë të tjerëve!”: Tirana, ashtu zonjë në gjenezë, nuk di të shajë e blasfemojë. Nuk di të bëjë as ziliqaren shëmtaraqe. Veç di t’u kujtojë të gjithëve se, kur të kthehet – dhe kjo me gjasë do të ndodhë brenda një sezoni – do të kërkojë të mbretërojë sërish! Në pallatin mbretëror të futbollit. Aty ku, në çdo dhomë a sallon ka lënë, si dëshmi të dominimit e “prepotencës”, nga një trofe me emblemën bardheblu…