U huazua nga Partizani, Jaupaj i jep fitoren e parë Flamurtarit në Kosovë

Ardit Jaupaj ka qenë protagonist në takimin e luajtur dje mes Flamurtarit të Prishtinës dhe Vllaznisë së Pozhoranit.

Sulmuesi i talentuar, i huazuar nga Partizani te skuadra e Superligës së Kosovës ka shënuar golin vendimtar në fitoren 2-1 të Flamurtarit ndaj Vllaznisë.

Ky ishte suksesi i parë për Flamurtarin e Prishtinës në Superligën e Kosovës. Jaupaj shënoi një gol mjaft të bukur, duke gjuajtur nga distanca, gati 25 metra në minutën e 70-të kur rezultati ishte 1-1. Një gol që i dha tri pikët Flamurtarit.

Për sulmuesin 20-vjeçar ky ishte goli i dytë në Superligën e Kosovës, pas atij të shënuar në javën e parë të kampionatit, në humbjen 3-1 të Flamurtarit kundër kampionëve të Trepça ’89. Flamurtari ngjitet në vendin e 11-të në renditje me 5 pikë të grumbulluara, ndërsa Jaupaj vazhdon të zhvillojë paraqitje pozitive në Superligën e Kosovës.