Te Partizani vendosin për Alban Hoxhën, Edgar Çani pritet sot në fushë

Gjërat nisën keq për klubin e kuq, ku ajo humbje e papritur në premierën e kampionatit me Laçin është paraprirë edhe nga çështja “Hoxha”. Portieri i Partizanit u pezullua nga drejtuesit, sepse kishte thyer rregullat, duke mos u paraqitur në kohë në grumbullim.

Tani mësohet se kapiteni i të kuqve, përveçse është gjobitur me 2 mijë euro, duhet të kërkojë falje para ekipit që të kthehet të luajë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.

Ka lajme të mira ndërkohë për sulmuesin Edgar Çani, i cili është rikuperuar plotësisht dhe sot, me shumë mundësi, do të luajë në ndeshjen e kupës me Naftëtarin. Nuk është shumë e qartë, nëse Çani do ta nisë ndeshjen në Kuçovë si titullar apo zëvendësues, por i sigurt duket fakti se ai do të debutojë me fanellën e kuqe në një ndeshje zyrtare.

Në Kuçovë ka shumë entuziazëm për ndeshjen e sotme, pasi vjen një nga ekipet më të mëdha në vend. Partizani pritet të luajë me kryesisht me lojtarë të stolit.