Starton Kupa e Shqipërisë, sytë në Kavajë, Kuçovë, Krujë dhe Fier

Ndeshja mes Sopotit dhe Laçit është ajo që ngre siparin e turit të parë eliminator të Kupës së Shqipërisë. Kjo ndeshje nis tani në kompleksin stërvitor të Kamzës, pasi Sopoti nuk e ka gati fushën e tij. Ndeshjet e tjera luhen në orën 16:00.

Janë 15 ndeshje që luhen sot në dy grupet e kupës. Në fakt, duhej të ishin 16, por Skënderbeu luajti mesjavën që shkoi me Mamurarsin, ku fitoi 0-8.

Ndër ndeshjet më interesante parashikohen të jenë ato mes Besës dhe Tiranës, Naftëtarit dhe Partizanit në Kuçovë, Kastriotit dhe Vllaznisë në Krujë dhe Apolonisë e Lushnjës në Fier.

Në Kuçovë janë të vendosur për t’i bërë një rezistencë sa më të fortë Partizanit, që nuk e diskuton kualifikimin. Me shumë interes pritet debutimi i sulmuesit Çani dhe reagimi i skuadrës së kuqe pas disfatës në kampionat.

Edhe në Krujë, skuadra e Kastriotit mendohet të jetë një “kockë e fortë” për Vllazninë. Në stol janë dy trajnerë shkodranë, Nikaj dhe Cungu, ndërkohë që krutanët kanë pretendime serioze jo vetëm në kampionat. Më tej parashikohet të kalojë Vllaznia, por të paktën sot ndeshja do të jetë e fortë.

Rivalitet të madh paraqet edhe derbi i sotëm në “Loni Papuçiu” mes Apolonisë dhe Lushnjës. Fierakët janë në Kategorinë e Parë, por duan të luajnë si të barabartë me Lushnjën e Superiores, që pikërisht në Fier luan si pritëse. Kualifikimi i hapur.

Shumë nga skuadrat e Superiores pritet që sot të hedhin në fushë formacionet e dyta, pasi vëmendja është në kampionat. Tirana, që është fituese fuqi e trofeut, do ta nisë mbrojtjen e tij nga Kavaja, ku ndeshet me Besën vendëse.

Ja dhe ndeshjet e sotme:

Grupi A

Besa-Tirana

Egnatia-Kukësi

Kastrioti-Vllaznia

Tërbuni-Teuta

Berreli-Kamza

Shënkolli-Besëlidhja

Iliria-Kamza

Grupi B

Naftëtari-Partizani

Elbasani-Luftëtari

Dinamo-Flamurtari

Apolonia-Lushnja

Sopoti-Laçi

Tomori-Bylis

Turbina-Korabi

Shkumbini-Pogradeci