Skënderbeu në Kiev për Europa League, Daja surprizon me mesfushën

Skënderbeu do të luajë të enjten kundër Dinamos së Kievit, ndeshjen e parë të grupeve në Europa League.

Trajneri Ilir Daja është duke përgatitur ekipin për një paraqitje dinjitoze në Ukrainë, teksa mungesa e vetme do të jetë Bakari Nimaga.

Mesfushori nga Mali u ndëshkua me karton të kuq në sfidën e dytë të play-off kundër Dinamos së Zagrebit.

Për këtë arsye, mendohet se trajneri Daja do t’i besojë një vend titullari, Bruno Ditës. Mesfushori që u afrua nga Teuta në këtë merkato vere nuk ka luajtur shumë gjatë ndeshjeve eliminatore të Europa League, por gjithsesi ka besimin e trajnerit Daja për vetë cilësitë që zotëron si një mesfushor shpërthyes dhe pozicional.

Xhejms pritet të jetë sërish në krahun e majtë të sulmit, aty ku ka luajtur Liridon Latifi, tashmë i larguar në merkaton e verës.

Pjesa tjetër e skuadrës nuk do të pësojë ndryshime në krahasim me sfidat e kaluara të zhvilluara nga Skënderbeu në Europë.

Shehi në portë, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici në mbrojtje, Osmani, Lilaj në mesfushë, por edhe Gavazaj e Soue në sulm do të plotësojnë 11-shen titullare së bashku me Ditën dhe Xhejms në takimin kundër Dinamos së Kievit.