Skënderbeu, 45 minuta… larg

“Kur padashur vendos dorën mbi sobën e ndezur, një sekondë të duket një orë, ndërsa kur je pranë të dashurës, një orë të duket një sekondë”, ka shkruar Ajnshtajni i madh për të shpjeguar në mënyrë popullore teorinë e tij të relativitetit. Duke hequr një paralele me të mbrëmshmen e korçarëve në Kiev, 45 minutat e para u dukën si 45 sekonda, ndërsa 45 të dytat si 45 orë. Nëse në fraksionin e parë, djemtë e Dajës ishin në kufij perfeksioni, në të dytën, pas dy shuplakave në fillim të saj, gjithçka e mbetur u kthye në një vuajtje të vërtetë, me frikën se shifrat në fund mund të tregonin për një katastrofë. Kur, në të vërtetë, nuk ishte aspak ashtu. Çfarë ndodhi?

Sot, me emocionet mënjanë, mund të gjykosh më në qetësi. Me ndonjë “dridhje” fillestare, rrjedhojë dhe e kërkesës së vendasve “për të kryer punë shpejt”, skuadra jonë tregoi profesionalizëm puro. Vendosje e mirë në fushë, elasticitet në mbrojtje dhe syçeltësi për të goditur kundërshtarin jo thjesht në kundërsulm, po dhe ballas. Droja fillestare kaloi dhe Skënderbeu , duke pranuar një farë epërsie territoriale të Dinamos për efekt të të luajturit në shtëpi, rriti ndjeshëm kuotat. Këtu duhet veçuar dora e trajnerit Daja që sërish suprizon me zgjedhjet e tij. Nëse në “Elbasan Arena” i “hutoi” të gjithë me spostimin si qendërsulmues të Nimagës në ndeshjen me çekët e Mlladës, mbrëmë e reja ishte Dita. Ende pa provuar të luajë titullar në Shqipëri, shtatlarti ish – Teuta u pa në të djathtë të mesfushës! Fakti që jo vetëm nuk zhgënjeu, por dhe u dallua në frenimin e lojës së vendasve në krahun e tyre të majtë, tregon që Daja i kishte bërë mirë llogaritë. Madje, për të baraspeshuar tendencën shtytëse të Xhejmsit në krahun e majtë, kur skuadra ndërtonte, Dita kishte raste që futej brenda duke i lënë anësoren Muzakës në të djathtë. Me pak defiçite në krahun e Micit (qoftë edhe efekt të asaj që Xhejms e ka “punë të dytë” kthimin prapa), treshja e qendrës – përveç Jashanicës e Radasit, në fazën mbrojtëse duhet llogaritur edhe Osmani – u duk e mirëkoordinuar. Në të djathtë, Vangjeli ,përveç pakalueshmërisë, edhe ndërtonte. Me një regjisor të palodhur si Lilaj dhe me një Soue në sulm që i detyroi vendasit t’i kushtonin gjithnjë e më tepër vëmendje, bardhekuqtë ishin një fizarmonikë që nuk stonoi qoftë edhe një notë të vetme. Goli i shënuar ishte një “a capela”…

Ajo që mund të ketë ndodhur në dhomën e zhveshjes së Dinamos nuk dihet, por te e jona, çfarë kanë ndierë tanët që dolën me “çehre” sikur të paralajmëronin zezonën? Natyrisht që mund të ketë ndikuar rënia e freskisë në këtë fraksion loje, por ajo që ishte më e dukshme ishte ana psikologjike. Sikur ishin të vetëdijshëm e të përgatitur për të keqen. Edhe për ta pranuar atë. Në fund të fundit, ka dhe arsyen e vet. Futbolli është i bukur sepse ka të papriturën me vete. Por ajo s’mund të zgjasë pafundësisht. Sepse, bëhet dhe një llogari: Skënderbeu, skuadra më e shëndetshme financiarisht jona, ka një buxhet që shkon pak mbi 1 milionë euro, ndërsa Dinamo e Kievit e ka 80! Diferenca përkthehet në … 45 minuta!

 

more recommended stories