Shkodra, Muzaka dhe Sou japin një premtim para Partizanit

 

Kryendeshja e javës së tretë të Kategorisë Superiore është ajo midis Skënderbeut dhe Partizanit, një sfidë midis dy rivalëve të mëdhenj për titullin kampion.

Tre futbollistët e Skënderbeut, Donjet Shkodra, Gjergji Muzaka dhe Ali Soue janë shprehur të bindur se ekipi do i rikthehet rezultateve pozitive dhe do japë 100% të shtunë në fushë.

“Të luash me Skënderbeun fitorja gjithmonë është një detyrim. Është ekipi më i mirë në Shqipëri dhe për këtë fitorja duhet gjithnjë pasi objektivi i klubit është të jesh në vendin e parë dhe të fitosh titullin. Për këtë arsye nuk bëjmë kompromis me asnjë ekip dhe nuk hyjmë në fushë për rezultat tjetër. Me punën e grupit shumë shpejt do të vijë edhe goli”, tha Ali Soue për faqen zyrtare të klubit të Skënderbeut;

“Unë jam gjithmonë i njëjti dhe mundohem që të jap më të mirën time me çdo ekip ku bëj pjesë. Ata që kanë pasur dyshime tek aftësitë e mia tashmë e kanë marrë përgjigjen nga paraqitjet time në fushë. Jam në një ekip të madh dhe bëj maksimumin për të treguar më të mirën e mundshme sa herë më jepet mundësia. Ndaj Partizanit japim gjithçka për të marrë 3 pikë”, shtoi Gjergji Muzaka, dikur një lojtar i të kuqve.

“Goli më lehtësoi disi por për fat të keq nuk solli tri pikët. Ndaj Partizanit do të jetë një tjetër histori. Jemi më të freskët dhe më të përqendruar. Do të bëjmë maksimumin që ta fitojmë këtë takim edhe për tifozët që e presin këtë fitore. Ekipi është mirë dhe kjo të jep besim se gjithçka do të shkojë mirë edhe në këtë takim”, tha Donjet Shkodra.