Partizani prezanton Drejtorin Sportiv: Kam shitur lojtar 40 milionë euro, do punojë ditë natë këtu

Partizani prezanton Drejtorin e ri Sportiv, Antonello Preiti.

Përmes një konference për shtyp, Preiti u shpreh se është informuar për futbollin shqiptar përpara se të merrte detyrën e re te klubi kryeqytetas, ndërsa ka pasur edhe më parë kontakte me futbollistë shqiptarë, siç është rasti i Andi Lilës te Parma.

Preiti ka mbuluar rolin e Drejtorit Sportiv në disa skuadra italiane, mes tyre edhe te Parma për plot 6 vite.

“Jam informuar për futbollin shqiptar nga miqtë e mi, përpara se të merrja këtë post. Kam pasur kontakte edhe me futbollistë shqiptarë dhe rasti më i freskët është ai i Andi Lilës kur ai luante te Parma. Ndaj e njoh mjaft mirë futbollin shqiptar dhe besoj se do të bëjmë një punë të madhe te Partizani.

Di gjithçka për futbollin në Shqipëri dhe di të them se Partizani është një klub i organizuar, me njerëz që e duan skuadrën dhe që punojnë fort.

Duhet të punojmë në grup për të arritur objektiva madhorë. Nuk më pëlqen fjala “unë”, por fjala “ne”, ndaj të gjithë bashkë te Partizani do të punojmë për të realizuar synimet e klubit.

Do të jem në dispozicion 24 orë në 24. E dashuroj punën time dhe e dua futbollin.

Ky profesion më ka mësuar shumë gjëra, ndaj mendoj se bashkëpunimi do të jetë ‘çelësi’ i suksesit.

Vazhdimësia është pika ku duhet të përqendrihet Partizani.

Humbja ndaj laçit? Kështu është futbolli. Kontrolluam ndeshjen por e pësuam pas dy kudnërsulmeve. Ishte aksidentale. Por skuadra u shfaq me personalitet në fushë.

Lojtarët që kemi afruar te Partizani gjatë kësaj merkatoje vere, mendoj se do të japin më të mirën e tyre, ndonëse duan pak kohë të përshtaten.

Kam pasur rastin të bëj edhe me lojtarë si Juan Cuadrado në karrierën time, i cili kur erdhi nga Amerika Latine nuk po përshtatej siç duhej te Udinese. Më pas e huazuam te Lecce dhe pas rikthimit te Udinese, arritëm ta shisnim për 40 milionë te Juventusi.

Edgar Çani nuk ka qenë i gatshëm për shkak dëmtimi, por nga nesër mendoj se do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë”, tha në konferencën për shtyp, Drejtori Sportiv i Partizanit, Antonello Preiti.