Partizani, përveç muskujve, duhen edhe ca… mend

 

Të kuqtë e filluan në mënyrën më të shëmtuar kampionatin. Shkohet deri në ekstreme të tilla figurative, pasi skuadra ishte e paralajmëruar vetëm pak muaj më parë në të njëjtin stadium e nga e njëjta skuadër, që asokohe i dha nokautin ëndrrës së Partizanit për titull. Këtu nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim: Hiqi kapelen Laçit, djemve luftarakë, pse jo, dhe të talentuar të kësaj skuadre, presidentës stoike të Laskës dhe pa dyshim një trajneri si Stavri Nica që mirëvendosi e drejtoi me përkushtim e inteligjencë bardhezinjtë në fitoren, sinjal për  gjithë mjedisin e Superiores.

Në premierën e tij, pasi i kishte gostitur të tërë një ditë më parë me: “Mjaft me përralla, Partizani për titull!”, trajneri Iuliano hodhi në fushë skuadrën e tij. Krejt të tij, apo për të qenë më të saktë, krejt të tyre, duke nënkuptuar dërgatën italiane te të kuqtë. Me pretendimin se e njihte kundërshtarin, kishte vendosur që Bathën ta linte në stol, me idenë e një mesfushe më krijuese. Por, ajo që demonstroi pikërisht kjo mesfushë e ideuar prej tij – natyrshëm që duhen justifikuar blerjet – të paktën në 45 minutat e para krijoi fare fare pak. Madje, me përjashtim të modelimit të një goditjeje këndi, fantazia e loja kombinative, të detyrueshme për të çarë rrjetën e dendur laçiane në gjysmëfushën e tyre, nuk u panë kërrkund. Edhe në të dytën, pavarësisht se goli i të ardhurve shkundi, përveç shtimit të marshit (gjë që mund të ishte projektuar që në pjesën e parë, për të kërkuar ndryshe e me presion zhbllokimin e rezultatit) pak ngjyra u shtuan. U shtua nervozizmi, ndërsa, si për dreq, edhe fati iu vu kundër.

Por, ajo që la shije të hidhur ishte lënia në stol e kapitenit Hoxha. Pa hyrë fare në punët e brendshme të klubit, madje duke i dhënë të drejtë apriori drejtuesve e vetë zotit Moxhi, pra, pa e dëgjuar fare ç’mund të pretendojë portieri dhe se cila është e vërteta e tij, ndëshkime të kësaj natyre nuk është se të japin automatikisht të drejtë (Duket si një seri e dytë e asaj që ndodhi në Kombëtare me Cikalleshin e trajnerin Panuçi). E para, dhe këtë dikush duhet t’ua thotë të ardhurve nga përtej detit, Partizani, edhe historikisht, për shkak të gjenezës së tij si skuadër ushtarake, ka qenë një model disipline. E dyta dhe më e rëndësishmja: dërgata italiane e trajneri Iuliano janë këtu edhe për të na mësuar si të sillemi, por në radhë të parë paguhen për t’i mësuar lojtarët si ta fusin atë të uruar top te porta kundërshtare dhe si të mos e lejojnë atë të mallkuar top të futet në portën e Partizanit!

Jo thjesht për parantezë: në fund të çdo viti shkollor, në dëftesën që merrej, shkruhej edhe për sjelljen e nxënësit. Zakonisht ndeshje fjalë të bukura si, “ka marrëdhënie të mira me shokët e shoqet e klasës”, “respekton mësuesit”, “merr pjesë në aktivitetet jashtëshkollore”, etj. Por, konsideratat shkruheshin në fund të dëftesës. Sipër ishin notat. Kur ngelje në klasë… të rrofshin fjalët e bukura për sjelljen!

more recommended stories